×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Me ShBA-të ndajmë vlera, orientime dhe interesa të përbashkëta

    Reporteri
    05 Dhjetor 2022 | 17:17

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ndihmësadministratorja e USAID-it, Erin E. McKee, janë deklaruar pas takimit që mbajtën sot.

    Kurti tha se në këtë takim diskutuan për projektet e USAID-it që po gjejnë zbatim në Kosovë dhe për mundësitë e reja.

    Ai theksoi se USAID deri sot e ka ndihmuar Kosovën me mbi 1 miliard dollarë.

    Deklarata e plotë e Kurtit:

    Të nderuar përfaqësues të medieve,

    Të dashur qytetarë,

    Më lejoni që t’i uroj edhe një herë mirëseardhje në Kosovë, pas takimit që patëm Ndihmës Administratores së USAID-it për Evropë dhe Euroazi, ambasadores Erin McKee.

    Mirë se keni ardhur zonja McKee. Ishte kënaqësi që të ju mirëpres në ndërtesën e Qeverisë.

    Diskutuam për projektet e USAID-it të cilat po gjejnë zbatim në Kosovë dhe për mundësitë e reja.

    Ndihma e USAID-it për Kosovën deri më sot kap vlerën mbi 1 miliard dollarë dhe përshkon secilën fazë të historisë sonë të re si shtet dhe secilin sektorë të zhvillimit të vendit tonë. Për secilin dollarë ne jemi mirënjohës si popull, si vend dhe si institucione.

    Fushëveprimi i kësaj agjencie është shumë sektorial. Aty përfshihen fushat si ajo e drejtësisë, ekonomisë, demokracisë, energjisë dhe qeverisjes.

    Në të gjitha këto fusha, vendi ynë ka shënuar përparim në këto diç më pak se 21 muaj të qeverisjes sonë.

    Unë e njoftova znj. McKee me indikatorët më të fundit ekonomikë e demokratikë, për përparimin në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, reformat e deritanishme dhe të mëtejshme në sistemin e drejtësisë dhe kornizën ligjore, qeverisjen e mirë dhe planet tona për investime në sektorin e energjisë.

    Rritja, përmirësimi dhe zhvillimi janë dëshmi për partneritet të fuqishëm me miqtë tanë, por në të njëjtën kohë janë edhe ftesë për edhe më shumë bashkëpunim.

    Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera, orientime dhe interesa të përbashkëta.

    Me popullin amerikan ndajmë bindjet e fuqishme të përbashkëta për liri, drejtësi dhe demokraci.

    Tek USAID-i gjejmë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si shtet edhe popullin mik amerikan.

    Andaj, le t’i zgjerojmë lidhjet dhe le ta thellojmë bashkëpunimin, në shërbim të të dy vendeve dhe të dy popujve tanë mbi bazën e vlerave dhe bindjeve që ndajmë.

    Ju faleminderit!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!