×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti në Ohër, telefonatë me Cholletin: Kosova e përkushtuar që e nesërmja të jetë ditë suksesi

    Reporteri
    17 Mars 2023 | 21:20
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Fotografi ilustruese.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tashmë ka arritur në Ohër, aty ku nesër do ta zhvillojë takimin e rëndësishëm në kuadër të dialogut, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Nga Ohri, Kurti ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë të DASh, Derek Chollet, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kreu i ekzekutivit i ka konfirmuar Cholletit se Kosova është e përkushtuar që takimi i nesërm të jetë i suksesshëm.

    “Diskutuam rëndësinë e kësaj fundjave për Kosovën, rajonin, integrimin euroatlantik dhe sigurinë. Theksova se jemi të përkushtuar që e nesërmja të jetë e suksesshme”, njoftoi Kurti në Twitter.

    Takimin mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, do ta ndërmjetësojë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili po ashtu ka zbarkuar në Maqedoni të Veriut.

    Në takim, pjesëmarrës do të jetë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell derisa në emër të ShBA-ve, takimi do të vëzhgohet edhe nga emisari amerikan, Gabriel Escobar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!