×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kurti nuk e mbajti premtimin” – kundërshtohet paga minimale prej 250 euro

    Reporteri
    08 Maj 2021 | 15:27

    Premtimet e qeverisë për punësim dhe përmirësim të kushteve në sektorin privat, pak se po besohen.


    Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat po insiston në ngritje të pagës minimale në 350 euro. Meqë një vit më parë ky ishte edhe premtim i kryeministrit Albin Kurti. Për këtë paralajmërojnë mos-nënshkrim të asnjë kontrate e cila është nën këtë shumë. E, për rikthim të ekonomisë në gjendje normale, po kërkohet stabilitet politik. Ngase buxheti nuk po konsiderohet pengesë në arritjen e premtimeve.

    Dy prioritetet kryesore të qeverisë së re janë menaxhimi i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 dhe lehtësimi i pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara. Në programin qeverisës të miratuar dje thuhet se masat që do të ndërmerren nga ekzekutivi do të mbështesin personat që kanë humbur vendet e punës, të punësuarit për herë të parë dhe bizneset.

    Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë se të gjitha këto kërkojnë kohë për t’u implementuar, por që kërkon rritje të buxhetit.

    “Bazuar në informatat e Bankës Qendrore nuk mund të thuhet se mungojnë para. Dhe në këtë drejtim besoj që rikthimi i ekonomisë në rrjedha normale duhet të ketë një mbështetje financiare. Vet fakti që në Bankën Qendrore raportohet që ekziston një sasi bukur e madhe e deponuar nga qytetarët dhe bizneset që kalon 4 miliardë, është një mundësi që duhet shfrytëzuar”, thotë ai.

    Zotimet e qeverisë janë edhe për krijimin e Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran deri në fund të mandatit. Sipas Gërxhaliut kjo kërkon reformë ligjore.

    “Në këtë drejtim duhen reforma ligjore, duhet të ketë rishikim të aspektit juridik dhe këtë besoj që mund të arrijë apo ta bëjë në aspektin kohor afat-mesëm. Sepse në qoftë se mendohet që për një vit të realizohen të gjithë këto, duhet të jetë një dëshirë e realizuar. Por duhet të ketë një renditje, duhet të ketë dialog dhe duhet të ketë vërtetë një stabilitet politik që këto të realizohen”, shton ai, shkruan kp.

    Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti ka njoftuar se paga minimale do të jetë 250 euro.

    “Përmes rritjes së pagës minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe ngritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, do të sigurohemi që ata që kanë paga më të ulëta, të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.

    Për këtë kurrsesi nuk po pajtohet kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai thotë se një vit më parë, Kurti kishte thënë diçka tjetër.

    “Kryeministri e premtoi një pagë 250 euro, vetëm një premtim sikur premtimi i vitit të kaluar që është pikërisht me 5 mars 2020. Po ky kryeministër premtoi që paga minimale duhet të jetë 350 euro. Dhe e ka thënë decidivisht ku thotë se në ‘në rrogat që marrin në kompanitë private kosovare, nuk mund të paguajnë as faturat e rrymës, ujit dhe kreditë’. Andaj mendon që duhet të jetë 350 euro, vitin e kaluar. Po këta ujë e kemi këtë vit, po këto kredi i kemi këtë vit, po këto paga i kemi këtë vit -170 euro. Dhe në fakt nuk ka asnjë lëvizje. Gjithçka që është një kthim prapa”, deklaron ai.

    Ai duket që është hatëruar shumë me kryeministrin Kurti, meqë sipas tij as nuk janë takuar për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

    “Ne përveç kontratave që nënshkruan publiko-private, ta zëmë objektet qeveritare që mirëmbahen dhe financohen nga Qeveria e Kosovës, të gjithë punëtorët tjerë nuk do të nënshkruajnë pagën nën 350 euro. Ku në shumicën e rasteve po jemi prezent ku punëtorët e kompanive private po nënshkruajnë kontratë pune me pronarë të kompanive. Deri më tani nuk kemi nënshkruar asnjë kontratë nën pagën 350 euro”, shprehet Azemi.

    Më tej, në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Albin Kurti tha se daljen nga pandemia e shohin si mundësi për të ri-orientuar ekonominë drejt prodhimit e eksportit, drejt rritjes së punësimit të dinjitetshëm për të gjithë, si dhe drejt një zhvillimi të qëndrueshëm që mbron ambientin edhe për gjeneratat e ardhshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!