×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti pas takimit me Lajçak: Në dialog Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë, duhet të pranohet realiteti

    Reporteri
    15 Shtator 2021 | 20:37

    Kryeministri Albin Kurti, është takuar me Miroslav Lajçak, përfaqësues special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.


    Siç bëhet e ditur nga zyra e kryeministrit, mbarëvajtja e procesit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të takimit.

    Kurti riktheksoi se në dialog Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë, duhet të pranohet realiteti dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

    Tutje theksohet se u bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Përendimor.

    Kryeministri konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, dhe perspektivën evropiane të rajonit.

    Ndërssa Lajçak para gazetarëve theksoi se është duke punuar për të caktuar një takim të radhës të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel, por nuk ka përmendur ndonjë datë të saktë.

    “Ajo çfarë kemi diskutuar është për bashkëpunimin rajonal, por më e rëndësishmja është dialogu dhe situata e tanishme e dialogut… Unë jam këtu për tri ditë, unë do të kem shumë takime dhe do të bëj vlerësimin në fund. Sapo kam filluar, është herët për këtë. Unë do të takohem me zëvendëskryeministrin Bislimi tash, për të diskutuar detajet më vonë dhe sikurse e dini do të takohem edhe me partitë e ndryshme politike dhe të dëgjoj se çfarë ata kanë për të thënë”, tha ai.

    I pyetur se a ka diskutuar për hapjen e arkivave të shtetit të Kosovës, përfshirë edhe ato për UÇK-në, diplomati sllovak tha se nuk është hapur kjo temë.

    “Jo, nuk kemi diskutuar për këtë çështje”, tha ai.

    Lajçak po qëndron në Kosovë në një vizitë treditore, derisa nesër do të ketë takime të tjera me krerë institucionalë dhe atyre të partive politike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!