Dy ditë para takimit në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur se Kosova do të jetë palë konstruktive në dialogun me Serbinë, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka thënë se në këtë proces do të jetë i përkushtuar, konstruktiv, parimor e kreativ.
Sipas tij statusi aktual i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk është normal, andaj ai ka thënë se duhet njohja reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip.
“Në raport me Serbinë kemi marrë pjesë në takime e bisedime në Bruksel sa herë që jemi ftuar. Kemi mirëpritur emisarët specialë nga Perëndimi sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë e do të jemi të përkushtuar, parimorë, konstruktivë e kreativë. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, është dialog për statusin e marrëdhënieve. Statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal, e status normal është ai i fqinjësisë së mirë evropiane, pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, ka thënë Kurti në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Me ftesë të BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar lidhur me vazhdimësinë e dialogut me bazë propozimin evropian.
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka treguar se presin që të dy palët të deklarohen përfundimisht pro këtij propozimi të hënën, derisa tha se diskutime të mëtejme mbi përmbajtjen e këtij propozimi nuk do të lejohen, çka e ka çuar atë në formatin “merer ose lëre”. /Reporteri.net/.