Kurti: Sulmet e 11 shtatorit ndryshuan rrjedhën e historisë, SHBA aleat historik i Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sulmet terroriste të 11 shtatorit.


Kurti thotë se Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës.

Reklamë

Postimi i tij:

I gjithë burgu i Quprisë në Serbi ushtoi nga thirrjet e ekzaltimit dhe çirrjet e delirit të gardianëve.

Mendova mos kishin shënuar Jugosllavia ose Cërvena Zvezda në ndonjë ndeshje sportive. Mirëpo jo.

Aeroplanët e marrë peng kishin qëlluar dhe rrënuar kullat binjake në Nju Jork. Pasditja e zymtë e burgut u bë ditë e zezë e 11 shtatorit 2001. I kisha kaluar 2 vjet e 4 muaj e gjysmë nga 15 vjet burg sa më patën dënuar.

Këto sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndryshuan rrjedhën e historisë dhe kuptimin e kësaj date, e cila do të jetë përgjithmonë përkujtim i jetëve të humbura, por edhe i rëndësisë së guximit dhe trimërisë përballë fatkeqësive.

Sot përkujtojmë 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve, nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan.

Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës.