Kurti takohet me presidenten e Komisionit Evropian, e falënderon për sigurimin e vaksinave antiCOVID

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministren, njëherësh ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë ditës së sotme është pritur në takim nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.


Kryeministri Kurti falënderoi presidenten von der Leyen për mbështetjen e BE-së në ballafaqimin e Republikës së Kosovës me pandeminë COVID-19 nëpërmjet asistencës financiare dhe sigurimit të vaksinave nëpërmjet mekanizmit COVAX.

Ai falënderoi Komisionin e BE-së për përpjekjet për të siguruar dozat e reja të vaksinave sa më shpejt të jetë e mundur për Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti theksoi prioritetet e Qeverisë për investime që ofrojnë vende të reja të punës dhe reforma në drejtësi.

Ai theksoi se me një qeveri që ka punësimin dhe drejtësinë në fokus, është shans i mirë edhe për Bashkimin Evropian që të dëshmojë se reformat për Ballkanin Perëndimor funksionojnë.