×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti nga Prizreni: Ftoj mërgimtarët ndërmarrës të sjellin investimet e tyre në fushat profitabile

    Reporteri
    27 Prill 2021 | 12:33

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar Parkun Inovativ Trajnues në Prizren, ku u bëri thirrje mërgimtarëve ndërmarrës që të shfrytëzojnë këtë platformë dhe të sjellin investimet e tyre në tekonologji, industry e bujqësi si dhe fushat tjera profitabile.


    Kurti ka thënë se ky park i cili për më shumë se dy dekada ishte kamp ushtarak për trupat e KFOR-it gjerman, është shndërruar në urë lidhëse ndërmjet biznesve vendore dhe atyre ndërkombëtare, shkruan Reporteri.net.

    “Besojmë se dixhitalizimi është mjet me të cilin, sidomos të rinjtë tanë, bëhen pjesë e tregut global dhe pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm, këtu, në Kosovë. Qeveria jonë e sheh ITP-në si një katalizator të rëndësishëm në modernizimin e ekonomisë së Kosovës. Ne jemi plotësisht të përkushtuar që ky projekt të jetë tregim i suksesit. Jam i sigurt që Prizreni si kryeqytet kulturor dhe me traditë të lashtë të tregtisë do i mirëpret bizneset që do të hapin vende të reja të punës e të cilat do ta zhvillojnë ekonominë lokale. Sa më shumë investime, ekonomi, zhvillim, punësim, aq më mirë jo vetëm për shoqërinë por edhe për politikën.”, ka thënë kryeministri Kurti.

    Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorg Rohde, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

    Fjalimi i plotë i Kurtit:

    Fjala ime në Parkun Inovativ Trajnues në Prizren

    I nderuari Ambasador z. Rohde,

    I nderuari z. Leidig dhe i nderuari staf i GIZ-it,

    E nderuara Ministre znj. Rozeta Hajdari,

    I nderuari Kryetar i Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka,

    Të nderuar qiramarrës,

    Të nderuar punonjës të mediave dhe të pranishëm të tjerë,

    Ju falënderoj që sot të gjithë së bashku jemi mbledhur këtu për t’i uruar mirëseardhjen qiramarrësve të parë të Parkut Inovativ Trajnues të Prizrenit.

    Ky park, i cili për më shumë se dy dekada ishte kamp ushtarak për trupat e KFOR-it gjerman, vend nga i cili partneret tanë gjerman garantuan sigurinë tonë, tani është shndërruar në urë lidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Ne do ta përkrahim dhe do ta ndihmojmë që sa më shumë bashkatdhetarë nga diaspora të sjellin investime përmes kësaj pike të takimit.

    Vitin që shkoi, me ambasadorin e atëhershëm të Gjermanisë, z. Christian Heldt, inauguruam Parkun Inovativ Trajnues dhe hodhëm hapin e parë të transformimit të ekonomisë dhe edukimit profesional dual. Si qeveri reformuese besojmë fuqishëm në mundësitë e shumta dhe transformuese të cilat i sjellë teknologjia informative.

    Besojmë se dixhitalizimi është mjet me të cilin, sidomos të rinjtë tanë, bëhen pjesë e tregut global dhe pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm, këtu, në Kosovë.

    Qeveria jonë e sheh ITP-në si një katalizator të rëndësishëm në modernizimin e ekonomisë së Kosovës. Ne jemi plotësisht të përkushtuar që ky projekt të jetë tregim i suksesit. Jam i sigurt që Prizreni si kryeqytet kulturor dhe me traditë të lashtë të tregtisë do i mirëpret bizneset që do të hapin vende të reja të punës e të cilat do ta zhvillojnë ekonominë lokale. Sa më shumë investime, ekonomi, zhvillim, punësim, aq më mirë jo vetëm për shoqërinë por edhe për politikën.

    Unë falënderoj Qeverinë Gjermane dhe agjencinë GIZ për financimin dhe menaxhimin e kësaj hapësire.

    Nga këtu, unë ftoj mërgimtarët tanë ndërmarrës që të shfrytëzojnë ketë platformë dhe të sjellin investimet e tyre në teknologji, industri e bujqësi si dhe fushat e tjera të cilat janë profitabile. Interesi i tyre është interesimi ynë. Pra, jemi bashkë.

    Gjashtë kompanive të para qiramarrëse i uroj shumë suksese në zhvillimin e bizneseve tyre; ju përgëzoj që e zgjodhët Parkun Inovativ dhe Prizrenin si vendin për të punuar dhe vepruar.

    Vielen Dank.

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!