×
  • Lajme
  • Lajme

    Kush do ta themelojë Asociacionin, Escobar: Sigurisht pres që Qeveria Kurti, na duhet progres i menjëhershëm

    Reporteri
    17 Mars 2023 | 20:20
    Albin Kurti dhe Gabriel Escobar. Fotografi nga arkivi.

    I dërguari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim nga i cili nuk mund të iket.

    Escobar ka thënë se nuk do që të duket sikur po kundërshton Kosovën kur përmend themelimin e Asociacionit, pasi tha se ai, në të vërtetë, është dakorduar para 10 vitesh, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Nuk dëshiroj të dukem kundërshtues kur them se do të ketë Asociacion, por ai shfaqet është në Marrëveshjen e Brukselit, shfaqet në këtë marrëveshje, shfaqet në konkluzionet e Këshillit Evropian, shfaqet në politikat tona. Pra, në thelb, nuk mund t’i ikim nevojës për një Asociacion”, tha Escobar për RTV21.

    I njëjti deklaroi se pret që Qeveria Kurti ta themelojë Asociacionin, pasi nevojitet progres i menjëhershëm.

    “Sigurisht që pres që do të jetë kjo qeveri sepse na duhet progres menjëherë”, tha ai.

    Ky koment i tij vjen pas deklaratës së djeshme se “Asociacioni do të ndodh, pyetja është se cila Qeveri do ta implementojë”.

    “Pra, çështja është se si të arrijmë aty duke e ditur se ky është fakt që do të ketë një Asociacion”, shtoi emisari amerikan.

    Escobar nuk konsideron se Asociacioni është një lloj autonomie, por thotë se ua mundëson komunitetit serb në Kosovë mekanizma më të mirë për shërbime komunale.

    “Do të thosha se do t’ua lejonte atyre që të bashkohen për të gjetur mekanizmat më të mirë për të ofruar shërbime komunale, që janë shërbime që komunat tashmë i ofrojnë. Kjo do të jepte një mundësi për ato komuna që i bashkohen Asociacionit që të gjejnë mënyrat për të bashkërenditur ato shërbime për t’i përmbushur sa më mirë nevojat e njerëzve”, tha Escobar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!