×
  • Lajme
  • Lajme

    Kush e vendosi reciprocitetin me Serbinë për mosnjohjen e pasaportave?

    Reporteri
    05 Gusht 2019 | 18:11

    Autor: Shkumbin B. Kajtazi 


    Ka një javë që kur Kosova ka vendosur si masë reciprociteti mosnjohjen e pasaportës së Serbisë, shkruan Reporteri.net.


    Gazeta Online “Reporteri.net” mëson nga burime se kjo masë reciprociteti ndaj Serbisë është duke u aplikuar brenda territorit të Kosovës qysh nga e hëna e kaluar, 29 korrik 2019. Vendimi u mundëson shtetasve serbë lëvizjen përmes Kosovës vetëm me anë të letërnjoftimit, njëjtë siç e aplikon Serbia ndaj shtetasve të Kosovës.

    Por, kush e dha vendimin për një gjë të tillë, ende mbetet e paqartë.

    Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Kryeministrit, përkundër insistimit të Reporteri.net që të marrë konfirmim dhe informacione në lidhje me këtë vendim, nuk kanë folur rreth tij.

    Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë në largim, përmes telefonit ka sugjeruar gazetën që pyetjet e dërguara nga Reporteri.net me email, “duhet të drejtohen në MPJ”.

    Këta të fundit, duke mos mohuar vendimin për masë reciprocitetit për mosnjohjen e pasaportës serbe nga ana e Kosovës, sigurojnë se një vendim i tillë nuk është marrë nga Ministria e Jashtme.

    “Jua them me siguri të plotë që kjo gjë nuk është bërë nga ne”, ka thënë për Reporteri.net, Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli.

    Nga ana tjetër, në media është raportuar për një rast se si një shtetas serb nuk ka mundur të udhëtojë me pasaportë serbe përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, për shkak të këtij vendimi të institucioneve kosovare.

    Gazeta Online “Reporteri.net” përmes burimeve ka mësuar edhe se një ditë para marrjes së këtij vendimi, shefi në largim i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka patur një takim me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

    Takimi nuk është konfirmuar për Reporteri.net, nga palët, sikurse as vendimi.

    Policia e Kosovës duke mos treguar nëse ka një vendim për mosnjohje të pasaportave serbe nga ana e policëve kufitar të Kosovës, sigurojnë se lëvizja e shtetasve serb në vendin tonë është e rregulluar me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të vitit 2011.

    “Lëvizja / kalimi i kufirit në mes të Republikës Kosovës dhe Republikës Serbisë është e rregulluara me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të vitit 2011”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës, të datës 2 gush 2019, për këtë rast.

    Marrëveshja në fjalë e vitit 2011, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë me anë të ndërmjetësimit të Bashkimit Europian, parasheh kushte të njëjta në lëvizje të lirë mes dy shteteve. E njëjta marrëveshje mundëson që çfarëdo masë që merr njeri shtet, njëjtë mund të veprojë edhe pala tjetër.

    Ndryshe, Qeveria e Kosovës qysh nga nëntori i vitit të shkuar, si masë reciprociteti dhe kundërpërgjigje ndaj shtetit serb kishte vendosur taksen 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës. Vendim ky i kryeministrit të dorëhequr Ramush Haradinaj, që mbetet ende në fuqi përkundër se aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë dhe SHBA-të, vazhdimisht kanë kërkuar të hiqet për t’i hapur rrugë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!