×
  • Lajme
  • Lajme

    Kush është Flakron Shala, konsulli që shumë shpejt pritet të kthehet në shtëpi

    Reporteri
    25 Nëntor 2020 | 11:25

    Vota e deputetit Haxhi Shala për qeverinë Hoti është shpërblyer me një nga postet më të rëndësishme në diplomaci. Djali i Shalës, Flakroni është emëruar konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë, me seli në Pragë.


    Emërimi është bërë me dekret të presidentit Thaçi pas rekomandimit të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj.

    Por, Praga nuk është një qytet i panjohur për Flakron Shalën i cili qe një kohë jetonte atje, ku është edhe duke i përfunduar studimet e doktoraturës.

    Ai është edhe menaxher në kompaninë “Elanor”, por edhe është emëruar anëtar i bordit të drejtorëve, po në këtë ndërmarrjeje.

    Këtë lajm e kishte bërë të ditur, vetë ai përmes një postimi në Facebook në gusht të këtij viti.

    “Të dashur miq,

    Pas 3 vjetësh si punonjës i Elanor a.s me qendër në Pragë, Republika Çeke, në të njejtën kompani, duke filluar nga 1 gushti, 2020, u emrova si menaxher i vendit (shtetit) dhe njëherit edhe si anëtar i bordit të drejtorëve.

    Elanor ka qenë vazhdimisht aktiv në tregjet Çeke dhe Sllovake dhe ky trend ka zgjatur për më shumë se një çerek shekulli! Gjatë kësaj periudhe kompania në fjalë është bërë një nga kompanitë më të rëndësishme që furnizojnë sisteme informacioni në fushën e burimeve njerëzore dhe gjithashtu një nga kompanitë e para që zgjeroi shërbimet e saj për të përfshirë shërbimet e jashtme të pagave të siguruara në tetë vende të tjera në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore (CEE).

    Në mbledhjen e bordit të drejtorëve, unë propozova strategjinë e re për zhvillimin dhe zgjerimin e biznesit dhe propozova Republikën e Kosovës si mundësinë e re për t’u zgjeruar. Bordi i drejtorëve miratoi nismën që unë propozova dhe më kërkoi që të ndërmarr hapat e nevojshëm për të lansuar degën e kompanisë në Kosovë”, shkruante ndër të tjera ai.

    Shala thoshte se  Elanor në Kosovë do të hapë shumë mundësi për qytetarët e Republikës së Kosovës.

    Por në pozitën e tij si konsull, Shala me sa duket nuk do të rrijë shumë. Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani sot ka reaguar duke thënë se a thënë se Konsullata e përgjithshme në Pragë dhe emërimi i konsullit të përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike të vendeve demokratike. Andaj, ajo  ka paralajmëruar se këto dekrete do të shfuqizohen. /Reporteri.net

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!