×
  • Lajme
  • Lajme

    Kush është Riza Alshiqi, zyrtari i pezulluar nga MPB-ja për dallavere me biznesin e tij “Rent a car”

    Reporteri
    18 Prill 2023 | 20:07
    Riza Alshiqi është pezulluar nga puna si zyrtar në Ministrinë e Brendshme për shfrytëzim të pronës private për biznesin e tij "Rent a car"

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi të martën se ka pezulluar nga puna në MPB Riza Alshiqin dhe pesë zyrtarë të tjerë për dallavere me biznesin “Rent a car”.

    Ndonëse nuk dihen detajet për përfshirjen e pesë zyrtarëve të tjerë në këtë rast, Riza Alshiqi është prej zyrtarëve ndaj të cilit ka kohë që është inicuar procedurë hetimore, shkruan Reporteri.net.

    Riza Alshiqi ka shërbyer si zyrtar i lartë për monitorimin e transportit qeveritar prej pesë vjetësh në Ministri të Brendshme, ndërsa si zyrtar i transportit që nga nëntori i vitit 2001.

    Si punë dytësore ai ka edhe një biznes, i cili në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve është i emëruar si “Riza rent a car”.

    Pezullimi i zyrtarit të MPB-së vjen si shkak pasi i njëjti ka shfrytëzuar orarin e punës në ministri për të përfituar edhe në biznesin e tij “Riza rent a car”.

    Siç raporton “Betimi për Drejtësi”, përcjell Reporteri.net, Alshiqi ka shfrytëzuar parkingun e objektit të ish-Rilindjes, ku gjenden pesë ministri, për t’i lënë veturat të cilat i jep me qira.

    Në lidhje me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka marrë masën e pezullimit nga puna të Alshiqit dhe pesë zyrtarëve të tjerë.

    Sveçla pezullon nga puna Riza Alshiqin dhe 5 zyrtarë të tjerë në Ministrinë e Punëve të Brendshme

    Të dielën, Sveçla ka deklaruar se do të iniciojë auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu, derisa tha se edhe Komisioni Disiplinor i MPB-së duhet të angazhohet për t’i identifikuar shkeljet.

    “Si Ministri e Punëve të Brendshme, por edhe si Qeveri, jemi angazhuar maksimalisht që të gjithë shërbyesit civilë të jenë në nivelin më të lartë të detyrës, por edhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve të detyrës zyrtare kemi vepruar pa asnjë mëdyshje. Mbi 300 zyrtarë publikë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, thuhet në statusin e ministrit Sveçla. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!