×
  • Lajme
  • Lajme

    Kushtetuesja bën përgjegjës shtetin për mos-mbrojtjen e Sebahate Morinës që u vra nga bashkëshorti

    Reporteri
    22 Mars 2023 | 17:59

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se institucionet shtetërore kanë dështuar në mbrojtje të jetës së Sehabate Morinës.

    Më 14 mars 2021, Sebahate Morina u privua nga jeta me armë zjarri nga bashkëshorti i saj në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë”, i cili më pas kreu vetëvrasje, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Pas vrasjes së saj, në sheshin “Skënderbeu”, pranë objektit të Qeverisë se Kosovës, dhjetëra qytetarë vendosën lule dhe ndezën qirinj në përkujtim të së ndjerës dhe me anë të pankartave “Asnjë ma shumë”, u kritikuan edhe institucionet e Kosovës për neglizhencën ndaj këtij rasti dhe përgjithësi dhunës në familje.

    Kështu, vajza e të ndjerës Morina-Sopi, V.S., kishte paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtuese për shkelje e të drejtës për jetën të garantuar me Kushtetutë, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ditën e mërkurë ka njoftuar se ka publikuar aktgjykimin në këtë rast dhe ka konstatuar shkelje nga institucione shtetërorë në mbrojtjes të jetës së Sebahate Morinës.

    Kjo gjykatë konstatoi se autoritetet kompetente nuk kanë reaguar menjëherë, nuk kanë bërë një vlerësim të mirëfilltë të rrezikut i cili sipas kësaj gjykate është dashur të jetë i menjëhershëm në rrethanat e rastit konkret, dhe marrë parasysh që kryesi i veprës penale ishte i dënuar paraprakisht për veprën penale të dhunës në familje dhe se autoritetet ishin dashur të jenë në dijeni në lidhje me rrezikun e menjëhershëm dhe real për jetën e Morines.

    Sipas kësaj gjykate, nuk kishin ndërmarrë masa parandaluese për të mbrojtur apo parandaluar privimin nga jeta të Sebahate Morines.

    “Gjykata, njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme dhe konstatoi se Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar në përmbushjen: (i) e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së S.M.-së, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 25 [E Drejta për Jetën] të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 2 (E drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) e detyrimeve të përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 18 (Detyrimet e Përgjithshme), paragrafin 1 të nenit 50 (Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme), paragrafin 1 të nenit 51 (Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) dhe paragrafin 1 të nenit 55 (Procedimet ex parte dhe ex officio) të Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Sipas kësaj gjykate në rastin konkret, ishin zhvilluar dy kategori procedurash për dhunë në familje.

    “E para, dhunë në familje të raportuar më 10 nëntor 2019 dhe për të cilën procedurat përkatëse ishin zhvilluar nga Stacioni Policor, Prokuroria Themelore dhe Gjykata Themelore në Gjilan. Ndërsa e dyta, sipas rastit për dhunë në familje të raportuar më 3 mars 2021 dhe për të cilën procedura ishte zhvilluar në Stacionin Policor në Graçanicë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet në aktgjykim.

    Sipas kësaj gjykate procedura kishte filluar me lajmërimin e rastit për dhunë në familje më 10 nëntor 2019 në Stacionin Policor në Gjilan dhe kishte përfunduar me 27 janar 2020 me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan përmes të cilit, bashkëshorti i të ndjerës S.M., ishte shpallur fajtor për dhunë në familje dhe sulm.

    Sipas aktgjykimit të kushtetutës, pas raportimit të dhunës në familje, policia në Gracanicë, kishin reaguar menjëherë duke dalë në vend të ngjarjes dhe kishin marrë në intervistë të dyshuarin, por sipas gjykatës nuk kishin ndjekur hapat procedural të përcaktuar përmes Ligjit kundër Dhunës në Familje dhe Procedurave Standarde të Veprimit, duke anashkaluar edhe plotësimin e formave standarde përkitazi me vlerësimin e rrezikshmërisë dhe duke mos njoftuar Qendrën për Punë Sociale dhe Mbrojtësin e Viktimave, dhe të cilët sipas ligjit të lartcekur, do të kishin mundur të marrin hapa shtesë në mbrojtje të të ndjerës.

    Po ashtu, sipas Kushtetueses Prokuroria Themelore në Prishtinë, përgjatë një periudhe 10 ditshe ishte në fazën e grumbullimit të provave dhe informatave të nevojshme për ndriçimin e rrethanave faktike që nuk kanë qenë të njohura për organet përkatëse.

    “Përkundër faktit që autoritet kompetente kishin të dhëna të sakta, pas raportimit
    të dhunës së 10 nëntorit 2019, përkitazi më L.S.-në, (i) ishte lëshuar një urdhër mbrojtës në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muajsh; dhe (ii) kishte një dënim për veprën penale të dhunës në familje dhe sulmit nga Gjykata Themelore në Gjilan.

    Gjykata gjithashtu vuri theks në faktin se deklarimi i të ndjerës S.M. që “nuk kishte mundësi të paraqitej në polici dhe kishte kërkuar që L.S. të mos burgosej, por mundësisht të lirohej”, bazuar në detyrimet pozitive të shtetit të garantuara me nenin 25 të Kushtetutës në lidhje me nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nenet 18, 50, 51 dhe 55 të Konventës së Stambollit, nuk e liron asnjë institucion shtetëror nga detyrimi për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të përcaktuara me ligje dhe rregullativë të aplikueshme në mbrojtje të viktimës të dhunës në familje”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.

    Ndërsa në lidhje me kompensimin e dëmit për familjen e të ndjerës, gjykata ka thënë se nuk ka autorizime ligjore për të caktuar kompensim të dëmit për rastet kur konstaton shkelje të dispozitave respektive kushtetuese./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!