×
  • Lajme
  • Lajme

    Kushtetuesja rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial, ministrja Haxhiu mban sot konferencë për media

    Reporteri
    25 Mars 2023 | 8:15
    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Fotografi nga arkivi.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së të këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë korrikut të vitit të kaluar.

    Sipas njoftimit për media të premten, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se pas vlerësimit të ligjit bazuar në kërkesat e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.

    Në kohën kur partitë opozitare e dërguan këtë ligj në Kushtetuese, patën thënë se dëmton pavarësinë e sistemit prokurorial.

    Pas vendimit te Kushtetueses, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu sot do të mbajë konferencë nga ora 12:00.

    Ndërkaq partitë opozitare LDK dhe PDK kanë reaguar pas vendimit të Kushtetueses duke thënë se “Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë”.

    Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Kurse Memli Krasniqi kryetar i PDK-së në reagimin e tij ka deklaruar se Kurti u përpoq për ta vënë nën kontroll Këshillin Prokurorial të Kosovës, por që kjo u pengua nga këmbëngulja e PDK-së se ky ligj ishte kundërkushtetues.

    Vendimin e Kushtetueses ndërkaq nuk e ka pritur mirë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka quajtur “sabonim e vonim të reformave”.

    “Sabotim e vonim i reformave”, Lëvizja Vetëvendosje kundërshton vendimin e Kushtetueses

     

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!