×
  • Lajme
  • Lajme

    Ky është i riu shqiptar që u plagos rëndë nga policia serbe në Medvegjë

    Reporteri
    29 Tetor 2019 | 20:08

    Policia serbe, gjatë ditës së sotme ka plagosur rëndë Milazim Muratin nga  fshati Gërbac i Komunës së Medvegjës.


    Lajmin për Reporterin e kanë konfirmuar disa banorë të komunës së Medvegjës, të cilët kanë bërë të ditur se aktualisht në këtë komunë ndodhet një numër i madh i forcave policore.

    34 vjeçari Murati, është plagosur rëndë në malin që ndanë Kosovën dhe Serbinë. Reporteri.net mëson se ka pasur të shtëna armësh nga të dy palët, me çrast Murati ka mbetur i plagosur dhe është transportuar fillimisht për në spitalin e Gjilanit e pastaj drejt QKUK-së në Prishtinë.

    Mësohet se 34 vjeçari Milazim Murati edhe më parë kishte pasur probleme me policinë serbe, pikërisht në vendin ku gjatë ditës së sotme ka ndodhur ngjarja.

    Si pasojë e këtyre problemeve, qe disa vite ai me familjen është shpërngulur për në Kamenicë.

    Ndërkohë, ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

    Kujtojmë, se kohëve të fundit Serbia ka bërë presion të shtuar mbi banorët e Medvegjës duke ua pasivizuar vendbanimet, duke synuar kështu shpopullimin e kësaj pjese edhe nga ata pak shqiptarë që kanë mbetur. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!