Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas tryezës “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, të organizuar në Çagllavicë nga Qendra për Dialog Humanitar, ka thënë se ka refuzuar një ftesë të emisarit evropian për takim në Bruksel lidhur me çështjen e dinarit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Bislimi tha se në Bruksel shkon vetëm për marrëveshjen bazike kur diskutohet, e sipas tij dinari nuk ështl pjesë e dialogut.
“Nuk ka kurrfarë zhvillimi. Ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transfereve nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim që duhet të shkoj kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do shohim kush mund të shkojë që të bisedojë për dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, tha ai para gazetarëve.
Bislimi tha se emisari evropian i ka shkelur parimet që i ka vendosur vetë, pasi siç tha ai është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim të palëve, parim ky i vendosur nga Lajçak në vitin 2021, që në agjendë të mos ketë tema të cilat paraprakisht janë vendosur nga palët.
“Zoti Lajçak më ka dërguar ftesën mua sepse vazhdimisht komunikon me mua, por kësaj radhe mendoj se ai ka shkelur parimet që i ka vendosur vet për arsye se është hera e parë që ka caktuar një takim pa dakordim të palëve dhe është munduar edhe ta përcaktojë agjendën, për kundër parimit që e ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset pa dakordim të palëve. Por ftesa ka ardhur në adresën time”.
Rreth takimeve që kanë pasur me ambasadorët, Bislimi ka thënë se miqt e QUINT-it kanë thënë se rregullorja e BQK-së është plotësisht legjitime, por që kanë kërkuar që gjatë fazës së tranzicionit të sigurohet që qytetarët mos të dëmtohen.
“Në takimet që kemi pasur me miqt tanë nga QUINT-i është thënë që rregullorja e BQK-së është legjitime. Dëshira që të vendoset rregull në sistemin financiar janë objektivat që janë të ngjashme edhe në Bashkimin Evropian. Krejt çka kërkojnë nga ne është që gjatë fazës së tranzicionit qytetarët të mos dëmtohen. Të ketë një periudhë ku ata mund të vazhdojnë të marrin mjetet e tyre, jo në dinarë, por euro”, tha tutje ai para gazetarëve./Reporteri.net/