Lajçak: Dialogu nuk është teknik, përmes tij Kosova ka kontrollin në të gjithë territorin e saj

Emisari Special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, në tryezën online e organizuar nga European Policy Centre, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi.


Lajçak ka thënë se nuk ka dialog teknik, pasi çdo gjë në dialog është shumë politike.

Sipas tij Kosova përmes këtij dialogu ka kontrollin në të gjithë territorin dhe kufijtë e saj.

“Dialogu me Serbinë i ka sjell Kosovës shumë përfitime. Përmes këtij dialogu sipas tij Kosova ka kontrollin në të gjithë territorin dhe kufijtë e saj, pastaj ka fituar kodin telefonik +383 dhe prezentim si palë e barabartë në nisma rajonale. Dua të them se nuk ka asgjë si dialog teknik, nuk ka çështje teknike, çdo gjë është shumë politike. Dëgjova kryenegociatorët në Bruksel, diskutuam për shumë orë gjatë dy ditëve, nuk kishte asnjë gjë teknike, çdo gjë ka ndikim politik. Dialogu është politik”, tha ai.

Ndërkaq, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon ka thënë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë synimi i marrëveshjes finale të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Njohja e ndërsjellë duhet të jetë synimi, çdo gjë tjetër do të ishte zhgënjim, mendoj se e kemi bërë këtë të qartë. Shpresoj që kur të vijmë afër fundit të negociatave, të kemi shtet tjetër që e njeh Kosovën e më pas të gjejmë proces kë në fund BE-ja si tërësi do të pajtohet po ashtu”, ka thënë Von Cramon.

I dërguari Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, tha se SHBA do t’i përkrah Kosovën e Serbinë në tentimet e tyre për anëtarësim në BE.

“Nga perspektiva jonë janë pjesë e Evropës, historikisht kanë qenë aleate, kanë ndihmuar të shtypin fashizmin. Kanë qenë neutrale në Luftën e Ftohtë, kanë ndihmuar për të mundur ekstremizmin, shumë shtete po ndihmojnë Afganistanin. Kanë ndihmuar Evropën në çështjen e migrimit gjatë konfliktit në Siri. Historikisht kjo pjesë e botës është Evropë, kanë diasporë të madhe që ndihmojnë në Evropë dhe SHBA”, tha ai në një tryezë online të organizuar nga Europian Policy Centre (EPC).

Escobar deklaroi se shtetet anëtarë të BE-së duhet ta kuptojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e Evropës, dhe mesazhi duhet të jetë i njëjtë.

“Anëtarësimi në BE sjellë benefite të mëdha. Një nga arritjet më impresive ka qenë zgjerimi i BE-së. Çdo shtet është bërë më demokratik, më stabil e prosperues. Mesazhi për njerëzit e rajonit është të keni zë në këtë komunitet që është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai.

Drejtuesja e organizatës CiviKos dhe analistja Donika Emini, deklaroi se ndër vite procesi i dialogut ishte i gjatë dhe i mundimshëm, duke shtuar se ka pasur edhe sukseset e tij.

“Nëse shihet nga perspektiva e Kosovës, gjërat kanë ndryshuar. Me Qeverinë e re, kemi një brend të ri të politikës, që nuk e kemi pasur më herët. Ka gjëra që duhet të ndryshojnë, jo vetëm dialogu, por edhe strategjia e Bashkimit Evropian. Kanë kaluar disa vjet dhe çdo lloj zgjedhjesh kanë ndikuar shumë në proces. Zgjedhjet kanë pasur ndikim negativ në dinamizimin e procesit të dialogut. E rëndësishme është që kemi një shans të ri. Këtë s’mund ta them për Serbinë, mirëpo nga ana e Kosovës, është një kapitull e ri, që kemi Kurtin, Osmanin dhe Lajçakun. Është mundësi unike që të bëjmë dialog me njerëz të ri”, tha Emini.