×
  • Lajme
  • Lajme

    Lajçak paralajmëron takime të nivelit të lartë: Kosova e pranoi në parim propozimin e BE-së

    Reporteri
    07 Shkurt 2023 | 7:33

    Pas takimeve që pati  gjatë ditës së djeshme me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka lëshuar një njoftim të shkurtër.

    Lajçak ka thënë se në parim edhe Kosova e ka pranuar tashmë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve, shkruan Reporteri.net.

    Ai ka paralajmëruar se diskutimet do të vazhdojnë në një takim të nivelit të lartë.

    “Udhëtova për në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurti dhe Besnik Bislimin. Edhe në Beograd bëra të njëjtën gjë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviqin. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim Propozimin e BE-së. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme pas takimit që pati me Lajçak, ka thënë se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.

    Kryeministri tutje shtoi se ka pyetje të rëndësishme rreth këtij planit franko-gjerman e të cilat siç thotë ai do t’i adresojë në Bruksel së shpejti.

    “Pyetje të rëndësishme mbi garancën ndërkombëtare, mekanizmat zbatues dhe periudhën kohore do të adresohen së shpejti në bisedimet në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit evropian na japin shpresë”, ka shkruar tutje Kurti. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!