×
  • Lajme
  • Lajme

    Lajçak: Plani i BE’së përmban 11 pika, dokumentet që janë publikuar deri tash janë trillime

    Reporteri
    25 Janar 2023 | 21:07
    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje shtesë mbi propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Lajçak ka deklaruar se ky propozim i përmban gjithsej 11 pika, derisa versionet e propozimit të publikuara nëpër media deri tani tha se janë trillime, e jo të sakta, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai tha se komentet e Kosovës dhe Serbisë për propozimin janë marrë parasysh dhe janë përfshirë në plan, por shtoi se megjithatë filozofia e propozimit nuk do ndryshojë.

    ”Janë 11 pika. Kam parë disa tekste të prezantuara në media, që nuk ishin të sakta, të trilluara nga njerëz të caktuar, kishte ndryshime, sepse pas prezantimit të parë jam kthyer në Prishtinë dhe në Beograd kemi diskutuar dhe kemi kërkuar komentet, pastaj jemi munduar t’i inkorporojmë komentet, e kemi thënë shumë qartë që filozofia e propozimit nuk ka për të ndryshuar, sepse filozofia është hartuar me mirëkuptimin më të mirë se si të arrijmë te normalizimi, pra kjo është filozofia”, deklaroi Lajçak në Rubikon të Klan Kosovës.

    Emisari Lajçak shtoi se takimi i fundit i diplomatëve në rajon ishte i përqendruar substancialisht në propozimin evropian, si një mënyrë për t’i tejkaluar krizat e për t’u fokusuar në normalizim.

    ”Mënyra më e mirë për ta quajtur është propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë e kam prezantuar planin në shtator dhe pastaj kishim diskutime me kryeministrin Kurti fillimisht dhe pastaj në dhjetor ia kam prezantuar një plan të përditësuar me disa komente që i kemi pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe gjatë javës së kaluar kishim diskutimin e parë substancial lidhur me planin, siç e dini takimi zgjati dy orë e gjysmë dhe ishte një diskutim i gjerë dhe i gjatë dhe ambiciet janë që të ndalet cikli i krizave që të përqendrohemi në normalizim”, theksoi Lajçak. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!