×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Babai rrëfim të dhimbshëm për zhdukjen e djalit 11 vjet më parë

    Reporteri
    18 Qershor 2019 | 19:02

    11 vite më parë, kur edhe i mbushi të 16-tat, pas një problemi që po ia rëndonte gjendjen mendore, Amir Morina do të ikte nga shtëpia e tij nga fshati Topanicë e Kamenicës për t’u mos u gjetur më kurrë.


    Familja tash e sa vite nuk kanë hequr dorë nga kërkimi i tij, e shpresojnë që për fatin e djalit të marrin të paktën ndonjë informacion.

    Çdo herë kur marrin lajm për ndonjë kufomë të gjetur, familja Morina nga Topanica e Kamenicës ka pak shpresë së mund të dëgjojnë diçka për fatin e djalit të tyre, edhe pse me këtë iu ngjallet edhe frika se mos marrin ndonjë lajm të keq për atë që mund t’i ketë ndodhur.

    Shpresat se i njëjti mund të gjendet i gjallë u zbehën atëherë kur shpesh merrnin telefonata që rezultonin që s’ishin të vërteta.

    Hera e fundit që dëgjuan për të ishte dy ditë pasi që i njëjti iku nga shtëpia, me 9 shkurt të vitit 2008. Rezultat nuk dha as lajmërimi e kontakti i vazhdueshëm me policinë, e as lajmërimi te personat e humbur.

    Babai i tij, Naip Morina, në një bisedë për Gazetën Express rrëfen se djali i tij u sëmur në moshën 15-vjeçe, e për këtë arsye disa herë kishte ikur nga shtëpia, ndonjëherë edhe në shtetet fqinje, Serbi e Maqedoni.

    “Mirë ka lindë djali, masi i ka bë 15 vite është sëmurë. Si bazë nervore dalke prej shpisë dalke shpesh herë, ka dalë në Serbi 4 herë, dy herë në Maqedoni në Kosovë s’ka vend ku nuk ka shku. Policia e ka gjet vazhdimisht”, tregon ai.

    Babai i djalit të vetëm të shtëpisë, thotë se i njëjti nuk ka qenë i rrezikshëm, e vetmja gjë që ai ka bërë sipas prindit, ishte ikja.

    Ai shton se me t’u gjetur nga policia djali gëzohej shumë për kthimin në shtëpi.Tutje, rrëfen se djali i tij kishte filluar të kishte probleme sa ishte në klasë të nëntë, e për këtë e la shkollën.

    Naip Morina shpjegon edhe se djalin e kishte vendosur tre javë në Spitalin e Psikiatrisë në Prishtinë, por që nga aty do ta largonte pasi që gjendja e tij thotë se vetëm se ishte përkeqësuar.

    “Kemi pas disa telefonata të rrejshme që djali është në Itali, Shqipëri e Maqedoni”, thotë prindi. Tutje tregon se ai kishte qenë shumë punëtor e me një pasion të vecantë për kafshët.

    “I jepsha telefon i shitke edhe si majke. Asnjë dokument ska pas. Një çertifikatë e kam nxjerrë masi ka dalë nga shtëpia”, shtoi prindi i tij.

    Djali që tash është 27-vjeçar kujtohet nga prindi me fjalët më të mira.

    “E kujtoj me fjalë më të mira jo djal po si shok. Me hekra jemi marrë bashk, vetë i ka marrë vetë i ka shit, ska dal palidhje, sja kam prishë qefin kurrë”, tregon ai.

    Për Express, ai ka kujtuar edhe herën e fundit që është parë me djalin. Sipas tij si edhe ditët tjera ai është larguar nga shtëpia, e do të shihej pak ditë më vonë në qytetin e Vitisë nga një bashkëfshatar i tij.

    “Mas tri ditëve është pa në Viti në mbrëmje. Një katunar na ka lajmëru se ban mall në mbrëmjë e ka pa se ska pas vend me marrë i ka thirrë policinë i kanë thanë ata nëse e shohim e marrim.Vetëm e ka pa nuk ka folë, në të kalumit”, shton.

    Naip Morina ka edhe shpresë që të gjejë të paktën një shenjë nga i biri.

    “Shpresa jeme është vetëm me ditë të gjallë apo të vdekur vetëm një shenjë të tillë, jam i knaqt vec me ditë dicka për fatin e tij”, përfundon rrëfimin.

    Lutjen për gjetjen e djalit, ai e ka bërë edhe përmes rrjetit soial Facebook.

    “Me datën 09.02.2008 është larguar nga shtëpia, nga ajo dite familja e tij nuk ka asnjë informate ne lidhje me te. Nëse e keni pare dikund ju lutemi te na lajmëroni ne këtë numër telefoni: 044577442”, thuhet në njoftimin e familjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!