×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Dy javë pas tërmetit, banorë të pallateve në Laç e Krujë kërkojnë strehë për të futur kokën

    Reporteri
    08 Dhjetor 2019 | 18:08

    Gati dy javë nga tërmeti i nëntorit për këtë pallat në Laç nuk ka ende një vlerësim nga ekspertët.


    Banorët thonë se specialistët kanë qenë në qytet, por pallatin e tyre e kanë anashkaluar.

    Shtëpitë i kanë braktisur për shkak të dëmeve të mëdha që kanë pësuar, ndaj kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë nga autoritetet.

    “Nuk dua as vaj, as makarona, as sheqer, as lecka, asgjë. Dua një shtëpi që të kem familjen e bashkuar.”

    Në Krujë 29 familje që prej 26 nëntorit gjenden mes katër rrugëve.

    Pallati ku kanë banuar tashmë mban kryqin e kuq të vendosur nga ekspertët.

    Shqetësimet për dëmet e shkaktuara në banesa, që disa prej tyre i kanë blerë me kredi, ia kanë paraqitur edhe ndërtuesit, por ky i fundit refuzon të marrë përgjegjësi, raporton oranews.

    Sipas banorëve, objekti ka qenë i projektuar për tre kate, por janë shtuar edhe 6 kate të tjera.

    “Në 2012 ka filluar të lëkundet, të çahet.Pronari që e ka këtë çonte herë pas here ustallarë që të mbyllte krisjet.”

    “Thonë do ta rindërtojmë, kjo nuk ka më siguri.”

    “Nga tre kate ky e çoi në nëntë kate.”

    Pavarësisht rrezikshmërisë që paraqet ndërtesa, banorët vijojnë të hyjnë e të dalin për të marrë sendet e padëmtuara.

    E vetmja kërkesë që kanë është sigurimi i një banese, pasi në çadra e kanë të vështirë të qëndrojnë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!