×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Haradinaj reagon për padinë e ‘vëllait’ Edi Rama

    Reporteri
    15 Janar 2020 | 22:35

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për lajmet se është paditur nga homologu i tij shqiptar, Edi Rama. Në fakt të dytë shpesh e thirrshin njëri-tjetrin ‘vëlla’. Por sot gjithçka duket sikur këta janë armiqtë me të mëdhenj. Është paradoksale, që një komb në dy shtete, vjen në një situatë që kryeministrat e tyre të jenë armiq mes vete.


    Pas 100 vjetësh armiqësi me Serbinë, sot kemi “armiqësi” mes shteteve shqiptare.
    Në reagimin e tij Haradinaj ka thënë se do të përgatis përgjigje dhe e ka quajtur të pa bazuar.

    “Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë. Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, ka shkruar ai.
    Kreu i ekzekutivit shqiptar, ka ushtruar padi ndaj homologut të tij nga Kosova, Ramush Haradinaj.

    Padia e Ramës, të cilën e ka siguruar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi”, të mërkurën, është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
    Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit.

    Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.

    Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuciqin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!