×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Kurti reagon pas rrahjes së djalit të Nenad Rashiqit: Të zbardhet urgjentisht, kriminelët të dalin para drejtësisë

    Reporteri
    22 Shkurt 2021 | 19:30

    Djali i ish-ministrit Nenad Rashiq është rrahur sot para shkollës ku ai vijon mësimin në fshatin Llapnasellë të Graqanicës.


    Nenad Rashiq e ka konfirmuar për Reporteri.net se disa persona ia kanë rrahur djalin.

    Për këtë rast ka reaguar edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili thotë se me keqardhje të madhe ka marrë  lajmin se sot në Graçanicë, djaloshi 18 vjeçar, Nikolla Rashiq, u rrah brutalisht me armë të ftohta.

    Kurti thotë se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë.

    Postimi i Kurtit:

    Me keqardhje të madhe morëm lajmin se sot në Graçanicë, djaloshi 18 vjeçar, Nikolla Rashiq, u rrah brutalisht me armë të ftohta. Nikolla është i biri i Nenad Rashiqit, politikanit demokrat e të mirënjohur serb në Kosovë.

    Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën.

    Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurtë.

    Kërkoj që organet e rendit urgjentisht ta zbardhin këtë rast dhe kriminelët të përgjigjen para drejtësisë, ndërkaq Nikollës i uroj shërim të plotë e të shpejtë.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!