×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Një muaj paraburgim katër të dyshuarve për grabitje të armatosur në Gjakovë

    Reporteri
    16 Maj 2019 | 16:38

    Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve S.P., J.P., B.N. shtetas të Republikës së Kosovës dhe G.V. shtetas i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).


    Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se të pandehurit S.P., J.P., B.N. dhe G.V. dyshohen se më 14 maj 2019 në Gjakovë, me qëllim që vetës t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme fillimisht kanë ndarë rolet, ku me të ardhur nga Prishtina i dëmtuari Rr.K. me qëllim të blerjes së narkotikëve, pasi është takuar me të pandehurit dhe kanë shkuar me veturë te pishat në “Shkugëz” i pandehuri G.V. i ka vendosur revolen në stomak të dëmtuarit Rr.K. duke e pyetur se ku janë paratë, më pas pasagjeri tjetër i dyshuar nxjerr edhe ai revolen duke ja drejtuar dhe thënë, “ngutu më shpejt paret”, me ç’rast i pandehuri G.V. i merr nga xhepi i të dëmtuarit shumën e parave në vlerë prej dymijë e pesëqind (2500) euro dhe largohen në drejtim të panjohur duke e lënë të dëmtuarin në rrugë.

    Të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjete (30) dite, të cilëve do të ju llogaritet koha prej arrestimit më 14 maj 2019 dhe do të zgjasë deri më 13 qershor 2019.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepër penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurve në liri ekziston rreziku i ikjes dhe në këtë mënyrë të pengojnë hetimet, duke ndikuar te dëshmitarët dhe dëshmitë eventuale që mund të paraqiten si prova në procedurë.

    Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!