×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Publikohet letra e fundit e larë me gjak e dëshmorit Gëzim Hamza – Piktorit: A thua ne shqiptarët jemi popull i nemur?

    Reporteri
    20 Qershor 2019 | 13:29

    Përfaqësuesi i Organizatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari, ka publikuar letrën që mendohet të jetë e fundit që e ka shkruar dëshmori dhe heroi nga Rahoveci, Gëzim Hamza, i njohur me nofkën Piktori.


    Jashari, thotë se letra ishte shkruar gjersa Piktori ishte i plagosur dhe po numëronte të rrahurat e fundit të zemrës së tij në vitin 1998 kur kishet rënë dëshmorë.

    Më poshtë sjellim letrën e plotë të Gëzim Hamza-Piktorit:

    Nuk di cila është data, s’ka lidhje edhe ashtu jam i habitur dhe i shqetësuar nga të gjitha këto ngjarjet e luftës pesëditore në Rahovec prej nga kam lindur.

    A thua ne shqiptarët jemi popull i nemur nga dikush që pa kurrfarë fati jemi duke jetuar nën okupimin e të tjerëve.

    Dy ditë lufte të rreptë kundër shkive (derrave) humbur i kamë disa shokë dhe koleg të mi që në këtë moment zemrën e kamë te kolegu im Agim Qela – Coli, krah për krah luftuam me zemër me vullnet dhe me këngë kundër tankseve blindave kambësorisë, por me sy aspak nuk u trembëm.

    O shoku jem i dashur më le pa asnjë zë as që bëre OF.

    Shok im i dashur e kamë nxjerr hakun e juaj dhjetë herë por ende nuk e kamë kryer, ju japë besën deri në dakikën e fundit të jetës sime do të luftoj për pamvarsinë e Kosovës sonë të humbur deri në këtë moment nuk di kush është i vdekur e kush është i gjallë. Oh jetë çka ka prej nesh trima mbi trima kur nuk dorëzohemi.

    PIKTORI

    O Zotë të lutem ndihmona ti, i cili je më i madhi, dhe secili shqiptar të beson shumë. I lutem pronarit të shtëpisë në qoftë se vdes, që kjo letër të shkoj tek fëmijët e mi.

    O familja ime, ju kamë dashur pa masë, por nuk pata kohë që t’ju tregoj aq sa e keni merituar, ju jap besën se mbas çlirimit të Kosovës do t’ju dua haptas.

    Dy fëmijët e mi Lenhardi dhe Benjamini më falni se në kohën kur ju jam më i dobishëm ju lash të gjindeni vetë, ju kisha lutur që të vazhdoni rrugën e Babushit tuaj të luftoni edhe ju për Kosovën-Lirinë e popullit.

    Babushi.

    Kjo letër është shkruar nga vetë Dëshmori dhe është me njollat e gjakut të tij.

    LAVDI!

    sek.R.Rama

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!