×
  • Lajme
  • Pa kategori

    S’ka viza për SHBA për të dyshuarit e rastit “Pronto”, “Toka”, “vizat italiane”

    Reporteri
    16 Maj 2019 | 16:50

    Ambasada e SHBA-ve bën të ditur se është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos ju lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes apo turizëm.


    Ambasada përmend rastet e mëdha si “Pronto”, “viza italiane”, “ikja nga burgu i Dubravës”, “Toka”, dhe “Apex”.

    Ambasada thotë se është praktikë e zyrtarëve konsullorë që të shqyrtojnë faktet për çdo aplikim për vizë, duke përfshirë edhe çdo informatë negative lidhur me aplikuesin, dhe që të përcaktojnë përshtatshmërinë për marrje të vizës në bazë të ligjeve të SHBA-ve.

    “Sipas nevojës, ne vazhdimisht i peshojmë akuzat dhe dëshmitë për korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë vendimmarrjes për viza, në mënyrë që t’i kufizojmë ata që kontribuojnë në këto probleme nga marrja e vizave për udhëtim në Shtetet e Bashkuara. Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht prezente në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme”, thotë Ambasada e SHBA-ve.

    Nga kjo i bie se SHBA nuk do të lëshon viza për disa deputet, ish-deputet dhe ministra aktual si persona të dyshuar për rastin “Pronto” e rastin “Toka” dhe për vizat italiane.

    Për rastin “Pronto” Prokuroria Speciale vitin e kaluar ka ngritur aktakuzë ndaj: Adem Grabovcit, ish-deputet, Besim Beqaj, ministër aktual në Qeverinë “Hardianj”, Zenun Pajaziti, deputet aktual, Fatmir Shurdhaj, ish-zëvendës ministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Sedat Gashi, ish-këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Xhavit Dakaj, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Njazi Kryeziu, ish-Kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit, aktualisht këshilltar i Kadri Veselit në Kuvend, Arbenita Pajaziti, ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilhami Gashi, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ismet Neziraj, ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” dhe Rexhë Abazi, ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë.

    Të lartcekurit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

    Vizë për SHBA nuk do ketë as për ish-deputetin Ukë Rugovën i përfshirë në rastin e “vizave italiane”.

    Poashtu vizë nuk do i lëshohet për Amerikë as ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla që është i përfshirë në rastin “Toka”. /Reporteri.net/.

    SHBA e shqetësuar si nuk u dënua askush për rastet “Pronto”, “Toka” dhe “vizat italiane”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!