×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Veseli: Paralajmërimi i dorëheqjeve në veri të Kosovës është akt i pahijshëm dhe i dëmshëm

    Reporteri
    24 Maj 2019 | 17:16

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit të kryetarëve të sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës se mund të japin dorëheqje.


    Këto paralajmërime kryetarët serbë të komunave i bënë sot pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Beograd, shkruan Reporteri.net

    Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se paralajmërimi i dorëheqjes nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës është një akt i pahijshëm dhe i dëmshëm që cenon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës.

    “Paralajmërimi i dorëheqjes nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës është një akt i pahijshëm dhe i dëmshëm që cenon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës”, ka thënë Veseli.

    Tutje Veseli ka thënë që Vuçiqi dëshmon qartë mungesën e vullnetit për një fqinjësi të mirë si dhe kërkon nga Bashkimi Evropian që të bëjnë detyrën e marrë përsipër si garantues për të bërë presion në mënyrë që Serbia të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

    ”Kjo deklaratë e dhënë prej tyre pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, dëshmon edhe njëherë qartazi mungesën e vullnetit të Beogradit për të ndërtuar paqe dhe fqinjësi të mirë. Me këtë rast, i bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, që të bëjnë detyrën e marrë përsipër si garantues për të bërë presion në mënyrë që Serbia të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel”.

    Në fund Kadri Veseli ka shtuar se Kosova është shembulli më i mirë për sa i përket garantimit të të drejtave komuniteteve jo-shumicë.

    “Pavarësisht këtyre provokimeve, dua të theksoj se Republika e Kosovës është një shtet model në mbarë Evropën për sa i përket garantimit të të drejtave komuniteteve jo-shumicë dhe do të vazhdojë me këmbëngulje që me procesin e dialogut final të zgjidhë problemet e së kaluarës me Serbinë duke siguruar njohjen dhe ulësen në OKB”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!