Vijnë reagimet e para ndaj letrës ku Trump i thotë Erdoganit “Mos u bëj budalla!”

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar homologun e tij, Rexhep Taip Erdogan, që “mos të bëhet budalla” dhe tha se historia rrezikonte ta quante atë “djall” në një letër të jashtëzakonshme, të dërguar ditën kur Turqia filloi inkursionin e saj në veri-lindje të Sirisë.


Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, letrës, të publikuar për herë të parë nga një reporter i Fox Business, “i mungonin shprehjet diplomatike” dhe filloi me një kërcënim të plotë.

“Le të punojmë për një marrëveshje të mirë!”, shkroi Trump në letrën e datës 9 tetor, vërtetësia e së cilës u konfirmua në media të ndryshme nga Shtëpia e Bardhë, shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi.

Pak ditë pas operacionit turk në verilindje të Sirisë, përkatësisht pas tërheqjes së trupave amerikane nga rajoni me mbizotërimin kurd, Trump i tha presidentit turk se ai do të shkatërronte ekonominë e Ankarasë nëse pushtimi do të shkonte shumë larg.

“Ju nuk doni të jeni përgjegjës për masakrimin e mijëra njerëzve, dhe unë nuk dua të jem përgjegjës për shkatërrimin e ekonomisë turke – dhe unë do ta bëjë”, shkroi ai.

“Mos e bëj të fortin. Mos u bëj budalla!”, i kishte shkruar Trump, duke shtuar: “Do t’ju thërras më vonë”.

Dhe siç shkruan tutje The Guardian, letra e çuditshme u prit me një pabesueshmëri, me shumë në fillim duke vënë në dyshim legjitimitetin e saj dhe disa duke e quajtur atë një “shaka”.

Kur letra e Trump u raportua për herë të parë nga Fox Business, edhe shumë përdorues të Twitter supozuan se ajo ishte satirë ose një shaka.

“Unë në të vërtetë mendoja se ishte një shaka, se nuk mund të vinte nga Zyra Ovale”, ka thënë kongresisti demokrat Mike Quigley për CNN.

Gjithashtu edhe David Gergen, i cili ishte këshilltar i disa presidentëve, tha se letra “kishte një cilësi adoleshente” për të cilën tha se kur e pa për herë të parë, ai supozoi se ishte e rreme.

“Kur e lexova, menjëherë thirra asistentin tim për hulumtim dhe thashë, ‘Shihni nëse kjo është e rreme’. Unë thjesht nuk mund të besoj se Shtëpia e Bardhë e dërgoi këtë”, citohet të ketë thënë Gergen.

“Është e pashembullt, sipas njohurive të mia, dhe unë mendoj se e bën më të vështirë të punosh me Turqinë, e cila është anëtare e NATO-s,…”, ka thënë tutje ai.