×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK konfirmon pjesëmarrjen në takimin konsultativ për zgjedhjet të ftuar nga presidentja Osmani

    Reporteri
    11 Shtator 2021 | 19:59
    Qeveria Kurti

    LVV dhe PDK ishin dy partitë e para që u shprehen të gatshme të marrin pjesë në takim me presidenten, Vjosa Osmani për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.


    Ishte Partia Demokratike e Kosovës ajo e cila e para ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në takimin konsultativ me presidenten, duke thënë se kjo parti asnjëherë nuk i është shmangur takimeve institucionale.

    “PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të merr pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do ti shfaqë në takim”, ka thënë Faton Abdullahu për EO.

    Pas PDK-së edhe VV i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentes.

    Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka tha se ata janë gjithmonë të gatshëm si subjekt të takohen me Presidenten.

    “Ne jemi të gatshëm si subjekt të takohemi me Presidenten kurdo që ajo na thërret”, tha ai.

    Por, bashkë me LVV-në dhe PDK-në është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës që ka konfirmuar pjesëmarrjen, ku Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka konfirmuar për RTV Dukagjinin se edhe kjo parti do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja, shkruan Reporteri.net.

    Ndërsa, në anën tjetër kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se nuk do të pranojnë një shtyrje të zgjedhjeve.

    “IKSHPK u shndërrua sot në instrument të pushtetit – dhe me këtë humbi secilin kredibilitet. Skenari i paralajmëruar televiziv nga partia në pushtet, po ekzekutohet nga aktorë në shërbim të politikës instrumentalizuese.

    Trupat e kapur – me vullnet apo presion pa dallim – në vend të shëndetësisë, kanë vendosur të merren me politikë. Rekomandimi nuk u kërkua por u dha me porosi. Ashtu siç e paralajmëroj ditë më parë pushteti, ashtu siç po i duhet sot pushtetit.

    Dështimi katastrofal pandemik, nuk guxon të prekë demokracinë. E kemi të shenjtë. Prandaj dhe zgjedhjet nuk guxon t’i prekë askush. Vullneti i lirë qytetar është mbi çdo institucion. Suprimimi i demokracisë është kufiri që se kapërcejmë dot. Kushdo që shërben në këtë drejtim do të mbaj përgjegjësi.

    Kosova ka mbajtur zgjedhje në pandemi. Vendet fqinje po mbajnë zgjedhje tani. Një ditë zgjedhje për demokracinë është e paalternativë. Fushata është shkurtuar; KQZ është e përgatitur; data e zgjedhjeve nuk mund të ndryshojë. Të kujdesemi për shëndet, të japim shembull, të organizojmë një proces fer – por proces me 17 tetor do të ketë. Frikën e pushtetit për dështimin masiv, s’mund ta shërojmë; por demokracinë, lirinë e votës suaj, do ta mbrojmë”, tha Abdixhiku.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!