“Lloj lloj njerëz, shumë njerëz”, dëshmitari në rastin e Mustafës rrëfen ditën kur u lirua nga objekti ku mbajt në Zllashë

Dëshmitari W03593, gjatë dëshmisë së tij në gjykimin që po zhvillohet për krime lufte në Hagë ndaj Salih Mustafës, ka vazhduar të rrëfejë për ditën kur u lirua nga objekti që u mbajt në Zllashë.


Ai ka thënë se pasi është lëshuar nga burgu e ka kuptuar se ka qenë data 18 (pa treguar muajin), pasi sa ka qenë duke u mbajtur në Zllashë nuk ka ditur as kur ka qenë ditë, as natë, as cila datë.

Ai tha se i duket se ka qenë ora 11:00 kur ia kanë hapur derën dhe ka dal nga objekti ku po mbahej, e sipas tij e kishin thirrur me emër atë dhe të tjerët për të dal nga objekti.

Pasi kishte dal nga aty, dëshmitari tha se ka pasur shumë njerëz jashtë e se ka parë njerëz duke ikur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Lloj lloj njerëz, me rroba civile, me rroba të ushtrisë, ka pas shumë njerëz”, ka thënë ai, duke shtuar se kanë qenë diku rreth 60 njerëz, por se nuk ka pasur kohë që t’i shikojë e numërojë se sa janë.

“Po ata kanë ardh prej tana anëve janë tubu qaty edhe na ka tregue, një person na ka tregu rruga ka osht me dorë me shku për Prishtinë”, ka thënë ai.

Tutje, dëshmitari bëri të ditur se ka pasur ndërtesa jashtë si ato në të cilat ka qëndruar ai.

“Qashtu diçka, sa jon kon se di, nuk më ka interesu me i kqyr, po jam dal aty ka po na thojnë me shkue, rrugën na kanë tregue me dorë qanej për Prishtinë, qaq jom kon i hupun nuk kam dit ka me shku, po ka janë shku njerëzit jam shku edhe unë me shumë njerëz”, ka deklaruar dëshmitari.

Ai tha se nuk e di saktë sa ndërtesa kanë qenë, por tha se kanë qenë 50 ose 60 metra larg.

Gjatë deklarimit të tij, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se Salih Mustafa ka qenë i përfshirë në rrahjen ndaj tij dhe se ka qenë kryesori në vendin ku po e mbanin, e sipas tij këtë e ka dëgjuar nga persona të tjerë.