×
  • Lajme
  • Lajme

    Logopedi që dyshohet se keqtrajtoi 3-vjeçaren dërgohet në paraburgim, deri tani ishte në spital

    Reporteri
    07 Dhjetor 2022 | 17:15

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Logopedi nga Gjilani, Iljasa Fazliu i cili dyshohet se ka keqtrajtuar një 3-vjeçare në ordinancën e tij, tashmë është dërguar nga spitali në paraburgim, për t’iu nënshtruar masës prej 30 ditësh e cila iu caktua javën e kaluar nga Gjykata Themelore në Gjilan.

    Lajmi u konfirmua për Gazetën Online Reporteri.net nga Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, i cili tha se logopedi Iljasa Fazliu sot është liruar, dhe më pas dërguar në paraburgim.

    “Pasi gjendja e tij është përmirësuar, personi në fjalë ditën e sotme është liruar dhe është dërguar në paraburgim nga policia”, tha Emini.

    Gjykata Themelore në Gjilan i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh Iljasa Fazliut, por gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe për më shumë se një javë ai qëndroi në spital.

    Fazliu qëndroi i shtrirë në Spitalin e Gjilanit pasi pati shfaqur shqetësime me tension të ngritur të gjakut si dhe hiperglikemi, gjë kjo e konfirmuar nga drejtori i këtij institucioni, Arsim Emini.

    “Pacienti është pranuar pardje nga mjeku kujdestar i repartit internistik për shkak të shqetësimeve me tension të ngritur të gjakut dhe me hiperglikemi( sheqer i rritur në gjak). S’është duke u trajtuar për lëndime trupore fizike por për shkak të problemeve të tjera internistike. Gjendja e tij është stabile, por po vazhdohet trajtimi në spital nga mjekët e repartit të internes”, pati thënë Emini për Gazetën Online Reporteri.net.

    Më 28 nëntor, përveç logopedit nga Gjilani, Gjykata Themlore ua caktoi masën prej 30 ditësh paraburgim edhe dy familjarëve të 3-vjeçares të cilët e kishin sulmuar Iljasa Fazliun në njërën nga kafenetë në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan.

    Por, me këtë vendim nuk u pajtua avokati i familjes së 3-vjeçares, Arbër Saphiu, i cili tha se Gjykata ka “barazuar veprimet e ndërmarra nga prindi i vajzës dhe dajës me veprimet ç’njerëzore të të ashtuquajturit “LOGOPED”’.

    “Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të mbrojturit tonë dhe babait te vajzës së keqtrajtuar nga Logopedi Iljasa Fazliu, e njëkohësisht e ka caktuar masën e paraburgimit edhe ndaj të dyshuarit të parë- Logopedit. Me anën e këtij vendimi janë barazuar veprimet e ndërmarra nga prindi i vajzës 3 vjeçare dhe i dajës së saj me veprimet ç’njerëzore të të ashtuquajturit “LOGOPED”, i cili është dashur që ta trajtojë në mënyrë profesionale vogëlushen e pafajshme. Brenda afatit ligjor do të ushtrojmë ankesë dhe shpresojmë qe Gjykata e Apelit do ta trajtojë rastin në mënyre objektive. Me respekt Avokatura SPAHIU” – shkroi ai në Facebook.

    Në deklaratën e dhënë para gjykatësve, Fazliu ka thënë se fëmijën në fjalë nuk e dëmton asgjë sjellja e tij sepse e njëjta ende nuk është diagnostikuar plotësisht me autizëm.

    “I pandehuri Iljasa Fazliu ka deklaruar se e mbështet deklarimin e mbrojtësit të tij duke shtuar se i njëjti është ekspert i kësaj lëmie dhe 24 vite përvojë punë, ku ka trajtuar mbi 10 mijë raste të tilla dhe sa i përket rastit konkret i njëjti ka ndodhur si një lëshim i momentit dhe fëmijën nuk e dëmton asgjë sepse e njëjta ende nuk është diagnostifikuar plotësisht me autizëm dhe e kuptoj ndjeshmërinë e prindit dhe atë thellësisht”, thuhet në dosjen e gjykatës të ketë deklaruar i dyshuari.

    Të dielën e 27 nëntorit, në media u publikua audio-incizimi ku logopedi nga Gjilani dëgjohet duke keqtrajtuar një vajzë tre vjeçare.

    “Plaq atje…Ik atje budallicë, ta q*ft bota nanen…ik aty… jepja bre topin q*ja nanen qaty… nalu ta q*ft dreqi nanen…çka po don çka, çka?… na e lodhe b**hen”, dëgjohet ai duke u thënë në audio-incizimin për të cilin edhe u arrestua.

    Në media u raportua se Iljasa Fazliu nuk është anëtar i Odës së Infermierëve të Kosovës dhe nuk ka fare licencë të punës si logoped nga kjo organizatë.

    Ndërsa, nga këta të fundit u tha se “nuk mund të mbajnë përgjegjësi nëse ata operojnë apo fitojnë në konkurse pa pasur licencat përkatëse”.

    “Është përgjegjësi e institucioneve që të mos mbajnë profesionistë shëndetësorë të pa licencuar në institucionet e tyre”, u tha ndër të tjera në reagim.

    Në anën tjetër, Fazliu në shtator të këtij viti ishte emëruar si u.d shefit të Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë në QKUK./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!