×
  • Lajme
  • Lajme

    Lumi Ereniku i Vogël përplas komunat e AAK-së

    Reporteri
    16 Korrik 2019 | 21:23

    Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, përmes një ftese publike drejtuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kreu i ekzekutivit të vendit që të ndalojë punimet në rrjedhën e Lumit Ereniku i Vogël përgjatë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna.

    Kuçi, i cili njëherësh është edhe kryetar i AAK-së në Junik, në ftesën publike ka thënë se “po vazhdojnë punimet dhe veprimet e paligjshme përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e Lumit “Ereniku i Vogël” nga ana e Komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo ndikon në devijimin e rrjedhës natyrale – historike të këtij lumi!”, thuhet në letër.

    Më poshtë gjeni letrën e plotë publike e kryetarit të Junikut Agron Kuçi, drejtuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj:

    I Nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj!

    Po vazhdojnë punimet dhe veprimet e paligjshme përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e Lumit “Ereniku i Vogël” nga ana e Komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

    Kjo ndikon në devijimin e rrjedhës natyrale – historike të këtij lumi !

    Punimet po vazhdojnë përkundër faktit se komuna e Junikut dhe qytetarët e saj kanë dorëzuar kërkesën dhe peticionin për shfuqizimin e vendimeve lidhur me këtë çështje në zyrën tuaj me datë 26.04.2019.

    I nderuar Kryeministër, veprimet që po bëhen janë të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin Nr.04/L-147 për Ujërat e Kosovës, Ligjin Nr.04/L-086 për Parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Ligjin Nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin Nr.03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës dhe me Normat, Konventat Ndërkombëtare të Ujërave.

    Andaj, mbi këtë bazë, bashkë me shqetësimin legjitim të qytetarëve të komunës sonë, Ju bëjmë Ftesë Publike që si Kryeministër i vendit dhe Kryetar i Këshillit Ndërministror të Ujërave të Kosovës, të veproni ligjërisht dhe t’i shfuqizoni këto vendime.

    Veprimi i juaj bën që Ju, të mos viheni në anën e qytetarëve të Junikut, Rekës, Lugut dhe as të Kryetarit të Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjinit por në anën e së drejtës, ligjshmërisë dhe interesit të përgjithshëm.

    Në pritje të vendimit tuaj, ju përshëndes !

    Me respekt, Agron Kuçi – kryetari i komunës së Junikut!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!