Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka folur rreth situatës së sigurisë në Kosovë.
Maqedonci tha se qasja e Serbisë nuk e frikëson Kosovën.
”Forca e sigurisë po zhvillohet që të përballet me çdo kërcënim”, tha Maqedonci.
Shefi politik i Forcës së Sigurisë tha se pas invazionit rus në Ukrainë, Serbia i ka shtyrë interesat e veta edhe në raport me shtetet e tjera.
Ai në Klan Kosova foli edhe rreth armatosjes së FSK-së, ku tha se ushtria e Kosovës vazhdimisht merr armatim nga vendet e NATO-s dhe jo sikur Serbia që merr nga vendet e lindjes.
“Armatimi i FSK-së është çdoherë bazuar në standardet e NATO-s”, tha ai.
Edhe gjatë javës së kaluar, Ministri Maqedonci kishte deklaruar se Kosova është e përgatitur dhe nuk frikësohet asnjëherë, pasi ka institucionet që punojnë vazhdimisht në këtë drejtim.
“Kërcënimi i fundit nga Vuçiq s’është diçka e re, Serbia në vazhdimësi kërcënon sigurinë e vendit tonë. Ne nuk frikësohemi nga këto kërcënime. Këto kërcënime na bëjnë që të rrisim vigjilencën. Jemi të përgatitur dhe asnjëherë frikësohemi duke pasur parasysh që i kemi institucionet tona që punojnë vazhdimisht në këtë drejtim”, kishte thënë Maqedonci javën e kaluar.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq të premten nxori shtatë kërkesa për serbët në veri si parakushte për kthim në “dialog të mirëfilltë” me Kosovën. Po ashtu ai prezantoi pesë masa që Serbia do t’i marrë karshi situatës për serbët në Kosovë.