×
  • Lajme
  • Lajme

    Marrëveshja me Rusinë, kërkohet sanksionimi i Serbisë

    Reporteri
    24 Shtator 2022 | 17:30

    Një dokument diplomatik u nënshkrua dje ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë.

    Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov dhe Nikola Selakoviq, i Serbisë, nënshkruan më 23 shtator Planin e Konsultimeve të Ministrive të Punëve të Jashtme të dy vendeve për dy vitet e ardhshme.

    Selakoviq është shef i diplomacisë në një mandat teknik, sepse pas zgjedhjeve të prillit 2022 pritet të formohet qeveria e re në Serbi.

    Plani konsultativ i Ministrive të Jashtme për vitet 2023-2024 u nënshkrua në New York, në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka postuar në Twitter një video të nënshkrimit dhe shkëmbimit të dokumentit të nënshkruar.

    Nga video mund të konstatohet se “Plani i Konsultimeve” është nënshkruar në ambientet e Misionit Rus në Kombet e Bashkuara.

    Ky është dokumenti i parë diplomatik i nivelit të lartë që Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar që nga 24 shkurti, kur filloi pushtimi rus në Ukrainë.

    Për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, Rusia është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore.

    Autoritetet në Serbi votuan për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që dënojnë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.

    Megjithatë, Serbia, edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, refuzon të harmonizojë politikën e saj me atë evropiane dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

    Opozita në Serbi kanë reaguar ashpër ndaj nënshkrimit të këtij dokumenti.

    Partia për Liri dhe Drejtësi  tha se se është “e pabesueshme që në një moment kur e gjithë bota po ndjek me frikë lëvizjet e Moskës që kërcënojnë paqen botërore dhe po shikon vuajtjet e përditshme të popullit ukrainas”, ministri Selakoviq përfundon një marrëveshje me një shtet që “shkel drejtpërdrejt Kartën e OKB-së dhe synon të aneksojë territorin e një vendi tjetër të njohur ndërkombëtarisht në territorin e tij”.

    “Kur e gjithë bota dënon sjelljen e Moskës, ministri ynë teknik fut gishtin në sytë e të gjithë botës së qytetëruar dhe firmos një marrëveshje që nuk duhej të nënshkruhej”, shton SSP në reagimin e tyre.

    Ata vlerësojnë se lëvizja e Selakoviqit “minon pozicionin” e Serbisë në lidhje me Kosovën dhe e izolon më tej Serbinë nga pjesa tjetër e botës.

    Ndaj nënshkrimit të kësaj marrëveshje ka pasur reagime të shumta sot edhe në Kosovë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se marrëveshja e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, cila duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike.

    “Me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, ne kemi ministër të mbrojtjes, kemi ministër të punëve të brendshme, por ne jemi qeveri demokratike, progresiste, e shpresës. Ndërkohë që përballemi me fqinjët verior, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Milloshevicit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”, tha Kurti sot.

    Ndërkaq, nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani kanë thënë se Serbia po punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme me Rusinë.

    Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes theksoi se procesi i aderimit të Serbisë drejt Bashkimit Evropian duhet të ndalet dhe Serbia nuk arrin të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe shtetet e saj anëtare për Ukrainën.

    “Serbia punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme me Rusinë. Serbia nuk arrin të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe shtetet e saj anëtare për Ukrainën.

    Aderimi i Serbisë në BE duhet të ndalet. Nuk duhet të ketë më dy fjalë në një moment kaq vendimtar për Evropën”, shkruan Vela.

    Në margjinat e Asamblesë së OKB-së, Selakoviq nuk ishte i vetmi nga krerët serbë që u takua me ministrin rus. Atë e takoi edhe presidenti serb Vuçiq.

    Për këtë lidhje mes dy shteteve ka reaguar eksperti për Ballkanin, Janusz Bugajski, i cili tha se Serbia duhet të sanksionohet meqë po mbështet kriminelët e luftës në Kremlin.

    “Është koha që të sanksionohet Serbia. Beogradi mbështet kriminelët e luftës në Kremlin. Pse ajo duhet të përfitojë nga çdo fond apo investim i taksapaguesve të BE-së?”, ka thënë Bugajski. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!