×
  • Lajme
  • Lajme

    Marrëveshja në SHBA: U nisën për ‘Zonë Shenzhen’ që do të punësonte mijëra njerëz, përfunduan në Mini-Shengenin Ballkanik

    Reporteri
    10 Shtator 2020 | 17:31

    Para rreth dy muajsh në Kuvendin e Kosovës kryeministri Avdullah Hoti bashkë me ministrin e Drejtësisë Selim Selimi, e mohonin kategorikisht se në Uashington do të ketë marrëveshje për Mini-Shengenin Ballkanik, dhe thonin se bëhet fjalë për një zonë ekonomike e modelit ‘Shenzhen’ e cila ndodhet në Kinë e që punëson rreth 40 milionë njerëz.


    Këtë shqetësim e kishte ngritur në seancën e Kuvendit të datës 23 qershor deputetja e Vetëvendosjes Mimoza Kusari – Lisa, duke iu referuar një interviste të ambasadorit Richard Grenell, ku pretendonte se ai kishte thënë se në Uashington do të diskutohet edhe për Mini-Shengenin Ballkanik, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    “Nëse doni po ua lëshoj edhe intervistën e ambasadorit Grenell. Ai deklaron se në Uashington do të diskutoni për Mini-Shengen. Në rast se ju thoni se ju do të mbani të njëjtin qëndrim për Mini-Shengenin, pasi ju keni ndërru qëndrim zoti Hoti. Cili do të jetë qëndrimi juaj për këtë”, kishte thënë deputetja Kusari-Lila.

    Por kjo ishte mohuar kategorikisht nga kryeministri Avdullah Hoti, i cili pretendimet e deputetes së VV’së i konsideronte vetëm hipoteza, dhe deklaronte se qëndrimi i tij për Mini-Shengenin dihet dhe se ai nuk do të ndryshoj, gjë që në Shtëpinë e Bardhë ndodhi e kundërta.

    “Unë kam përshtypjen se po ngrisim hipoteza zonja Kusari, dhe po kërkoni që t’i testojmë hipotezat që po i ngritni këtu. Nga po dalin këto teori, ku po i sheh këto. E dini qëndrimin tonë për Mini-Shengenin Ballkanik dhe Zonën Ekonomike, dhe nuk ka me ndërru qëndrim për këto tema”, kishte deklaruar kryeministri Hoti.

    Në këtë debat ishte përfshirë edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, përfaqësues i AAK’së në ekipin negociator të Kosovës me Serbinë, i cili kishte demantuar pretendimet e deputetes Kusari-Lila, duke thënë se ambasadori Grenell në intervistën e tij kishte folur për Zonën Shenzhen, dhe jo për Zonën Shengen, të cilat janë krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra. Edhe ai, sikurse Hoti kishte thënë se pjesë e dialogut në Uashington nuk do të jetë temë Mini-Shengeni Ballkanik.

    “Mendoj se është duke u bërë një shtrembërim i fjalëve të ambasadorit Grenell. Nëse i referoheni intervistës së tij, ai e përmend zonën Shenzhen e cila i punëson 40 milionë punëtor. Është një qendër e madhe financiare inovative dhe është formuar në vitin 1980. Përderisa Zona Shengen është një komunë në Luksenburg ku në vitin 1985 është arritur një marrëveshje për kalimin e lirë të kufirti e të tjera. Kryeministri Hoti, por edhe delegacioni i tij jemi zotuar se nuk do të hyjmë në këso tema të Mini-Shengenit apo të ngjashme”, kishte thënë ministri Selimi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!