×
  • Lajme
  • Lajme

    Mediat e Kroacisë shkruajnë për vizitën e veteranëve kroatë: Kosovarët i pritën si vëllezër!

    Reporteri
    25 Qershor 2019 | 18:02

    Populli i Kosovës, këto ditë shënoi 20 vjetorin e çlirimit. Me këtë rast një grup motoristësh kroatë shumica e të cilëve janë veteranë lufte ishin për të festuar bashkë me ne. Së fundmi për mediat kroate ata janë ndarë shumë të lumtur dhe kanë rrëfyer përvojën e vizitës së tyre në Kosovë. Ata kanë falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët iu kanë siguruar një mikpritje të ngrohtë në vendin tonë, duke thënë se në këtë gjë shqiptarët janë më të mirët, shkruan portali, nacionalno.hr, transmeton Reporteri.net.


    Arsyet e kësaj maratone ata kanë thënë se janë të ndryshme, si: për të falënderuar shqiptarët që ishin veteranë të luftës në Kroaci, pjesëmarrësit e Luftës Atdhetare, për të vizituar shoqatën e veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të vizituar heronjtë e tyre që ranë në luftën çlirimtare, për të takuar ushtarët kroatë në operacionin CAFOR, për të vizituar komunitetin kroat që jeton në Janjevë, për t’u takuar me Ushtrinë e Kosovës  si dhe në fund  për të krijuar bashkëpunim me klubet motorike nga Kosova.

    Veteranët kroatë nga përvoja e tyre kanë ndarë vizitën në Kompleksin Memorial në Prekaz  për nder të 20-vjetorit të çlirimit të komunës së Skenderajt, ku u njoftuan me vuajtjet e familjes Jashari. Ata janë takuar me kryetarin e kësaj komune, Bekim Jashari dhe atë të Drenasit, Ramiz Lladrovci. Pas kësaj në Prishtinë ata u takuan edhe me ministrin e Brendshëm, Ekrem Mustafa.

    Ata kanë kujtuar edhe takimin me policët e Njësisë Speciale të Kosovës, të cilët i kanë falënderuar për vizitën në Kosovë.  Në fund ata janë fotografuar së bashku duke bërë simbolin e shqiponjës.

    Në ditën e tretë të vizitës në Kosovë, veteranët kroatë janë takuar me kryetarin e OVL UÇK-së, Hysni Gucati. Ata e kanë potencuar faktin se krahasuar me  veteranët kroatë, veteranët e Kosovës kanë vetëm një Shoqatë të Veteranëve. Në fund ata u sugjeruan atyre që të krijojnë Klubin Motorik të Veteranëve të Kosovës, ku do të mund të bashkëpunonin.

    Pas veteranëve të luftës, në Kuvendin e Kosovës, ata u takuan me kryeparlamentarin Kadri Veseli. Nga Prishtina udhëtuan për në Drenas ku u takuan me kryetarin e komunës, Ramiz Lladrovci. Aty vendosën kurora me lule në monumentet e heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, heroi Bedri Shala, heroi  Rasim Kiqina dhe heroi Ilaz Kodra.

    Në ditën e katërt veteranët kroatë në Kosovë u takuan edhe me komunitetin kroat në Janjevë e pastaj me ish-zëvendësministrin Agim Çeku.  /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!