×
  • Lajme
  • Lajme

    Milaim Zeka për sulmin ndaj Hotit: U sulmuan edhe SHBA dhe BE

    Reporteri
    23 Shkurt 2020 | 18:20

    Ish-deputeti i Kuvendit dhe kryetari i Partisë Euroatlantike të Kosovës, Milaim Zeka, po e kritikon qeverinë e Albin Kurtit për mos heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.


    Zeka ka folur për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hotit. Ai thotë se ky është sulm ndaj SHBA’së dhe BE’së

    Zeka e quan turp të madh sulmin ndaj Hotit, apo kujtdo tjetër nga zyrtarët shtetërorë.

    “Ky sulmi me vezë, mos e hiqni taksën dhe ata që bëjnë thirrje për mos heqjen e taksës duhet me e ditë se janë në kundërshtim direkt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Ky është sulm ndaj bashkësisë ndërkombëtare, SHBA’së, BE’së, pa të cilët ne edhe 2 mijë vjet s’kishim mundur me u çliru e me u bë shtet”, ka thënë Zeka për Express.

    Për sulmin ndaj Hotit, Zeka ua lë fajin edhe organeve të sigurisë. Thotë se sulme të tilla do duhej të konsideroheshin se vepër e lartë penale.

    “Kritika ime më së shumti drejtohet ndaj organeve të sigurisë, policisë dhe prokurorisë. Mendoj se çfarëdo sulmi që i bëhet dikujt duhet të konsiderohet si vepër e lartë penale nga ana e Prokurorisë së Kosovës”, thotë Zeka.

    Ish-deputeti ka shtuar se kryeministri Albin Kurti po bën gabim në vonimin e heqjes së taksës. Sipas tij, duhet t’i bëhet presion më i madh qeverisë për ta hequr taksën, e cila thotë se nuk i ka sjellë të mira vendit.

    “E vë në përgjegjësi goxha të madhe qeverinë që po luan me zjarrin duke e vonuar heqjen e taksës, sa më shumë të vonohet, aq më shumë do të kemi veprime, mendime e spekulime banale që do ta ndezin një terren të varfër të këtij vendi, ku në brendësi të gjithë njerëzit ëndërrojnë me ikë prej vendit. Ne duhet me i drejtu shigjetat drejt qeverisë aktuale, me e rritë presionin dhe me e vu qeverinë para përgjegjësisë me pyetjen pse s’po e heq taksën”, thotë Zeka.

    Vendosjen e taksës nga Qeveria Haradinaj, Zeka e sheh si tendencë për t’u prekur tema të mëdha të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me popullin. Kjo sipas tij, për të treguar patriotizëm.

    “Sa i përket opozitës e cila ka qenë në pushtet, asnjëherë nuk ka pasur tema reale që e kanë prekur drejtpërdrejtë qytetarinë Kosovës, në mungesë të atyre temave, gjithmonë janë pjellë tema të mëdha patriotike siç është taksa, bisedimet me Vuqiçin, shkëmbimet e territoreve, demarkacioni”, thotë Zeka.

    Ai shton se vendosja e taksës nuk ka pasur efekte pozitive, madje, sipas tij, qytetarët janë dëmtuar më shumë si pasojë e taksës.

    Zeka thotë se qeveria nuk i kasubvencionuar bizneset vendore, të cilat pas vendosjes së taksës i kanë rritur çmimet e produkteve.

    Zeka ka kritikuar edhe nënkryetarin e LDK’së, Lutfi Hazirin, i cili ka bërë thirrje që të hiqet taksa. Thotë se derisa Haziri gjendet në struktura udhëheqëse të partisë e cila është në koalicion qeverisës, po rezulton se po i bën thirrje vetës.

    Ndërkaq thotë se kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka qëndrimin më të qartë sa i përket taksës dhe reciprocitetit.

    “Lutfi Haziri me bë thirrje publike, për marketing politik, për heqjen e taksës, sepse ai është në strukturat më të larta të një partie që është në koalicion. Thirrje për heqjen ose mos heqjen duhet të bëjnë njerëzit jashtë koalicionit. Lutfi Haziri po i bën thirrje vetës. Në gjykimin tim i vetmi njeri që ka gjykim të qartë rreth taksës dhe reciprocitetit në këtë aktualitet prej LDK’së është Isa Mustafa”, ka thënë Zeka.

    E zëvendësimin e taksës me reciprocitet, ide kjo e kryeministrit Kurti, Zeka e sheh si hap të gabuar.

    “Unë prej fillimit e kam thënë se taksa ia ka thye qafën kryeministrit Haradinaj, në qoftë se Albin Kurti provon me e vendos reciprocitetin në vend të taksës, këtij do t’i thyhet qafa dhe kurrizi. Reciprociteti është masë shumë më e rëndë se taksa”, ka thënë Zeka.

    Avdullah Hoti, Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, është sulmuar të shtunën në mes të Prishtinës. Burime të Express brenda Policisë kanë treguar se sulmuesit e Hotit janë anëtarë të AAK’së

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!