×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri Bytyqi: Tash nxënësit shqiptarë nga të gjitha trojet festojnë bashkë ‘Festën e Abetares’

    Reporteri
    17 Maj 2019 | 16:44

    Ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë në Festën e Abetares që është mbajtur në Prizren me moton “Ne festojmë të bashkuar”.


    Bytyqi ka thënë se ajo që i bënë të lumtur është se kanë bërë një hap të vogël, që të festojnë bashkë nxënësit shqiptarë nga të gjitha trojet.

    Ky është njoftimi i plotë: 

    Ishte kënaqësi e veçantë të gjendem mes fëmijëve të klasës së parë të të gjitha trojeve shqiptare, në festën e veçantë, pra në Festën e Abetares, e cila këtë vit u mbajt në Prizren me moton “Ne festojmë të bashkuar”.

    Bashkë me ministren e Arsimit të Shqipërisë, znj. Besa Shahini, ambasadorin z. Qemal Minxhozi, deputetët, znj. Albulena Balaj-Halimaj, z. Ismajl Kurteshi, kryetarin e Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, përfaqësues nga Maqedonia e Veriut dhe Bujanoci, uruam nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për këtë festë të rëndësishme, e cila shënon hapin e parë drejt dijes të këtij brezi, i cili do të ndërtojë të ardhmen e përbashkët.

    Ajo çka na bënë të lumtur është se, ne kemi bërë një hap të vogël, pra që të festojnë bashkë nxënësit shqiptarë nga të gjitha trojet. Festa Abetares është një festë jo vetëm për fëmijët të cilët po e përmbyllin me sukses mësimin e shkronjave, jo vetëm për mësuesit të cilët e jetësuan me sukses planprogramin e tyre, jo vetëm për prindërit, fëmijët e të cilëve tashmë kanë mësuar shkrim-leximin, pra, është festë për të gjithë, sepse po përgatisim brezin e ri, i cili do të ndërtojë të ardhmen e përbashkët.

    Intelektualët nëpër kohë të ndryshme dhanë shumë për Abetaren dhe ruajtjen e vlerave të gjuhës shqipe, ndërsa sot jemi në hap me zhvillimet e sistemit arsimor në botë dhe po vazhdojnë angazhimet për avancimin dhe unifikimin e sistemit arsimor.

    Urime të gjithë fëmijëve të klasave të para!
    Ju priftë e mbara në rrugëtimin akademik!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!