×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri kroat: Kosovës t`i liberalizohen vizat – Serbia të tërhiqet nga trashëgimia e luftës

    Reporteri
    10 Maj 2021 | 15:30

    Kamera ishte e fokusuar në kryediplomatin kroat. Përtej kësaj, Gordan Grliq-Radman tërhoqi vëmendjen me deklaratat që i dha në nisje të takimit të shefave të diplomacisë së Bashkimit Evropian.


    Top temë e diskutimeve në Bruksel të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme janë bisedimet Kosovë-Serbi dhe qasja e re strategjike e BE-së karshi Ballkanit Perëndimor.

    “Kjo do të thotë hapja e negociatave për anëtarësim  në Union të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, liberalizimin e vizave për Kosovën, Mali i Zi duhet të mbetet i përkushtuar në rrugën evropiane kurse Serbia duhet të fokusohet ne reforma dhe ta tejkalojë trashëgiminë e luftës”, shtoi Grliq-Radman.

    Nga ana e saj shefja e diplomacisë suedeze, thotë se unioni urgjent duhet të përmbush zotimet e dhëna për perspektivën evropiane të gjashtë vendeve që e përbëjnë perëndimin e Ballkanit.

    Ann Linde kishte takim të veçantë me të dërguarin special të Brukselit për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajcak nga aty ajo thirri të dy vendet që dialogun ta bëjnë prioritet shtetëror.

    Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, deklaroi se Vjena zyrtare është e brengosur me siç i quan Alexander Schallenberg “ndërhyrjet  e fuqive tjera në rajon”.

    “Ballkani Perëndimor është një rajon i lashtë evropian i rrethuar me vendet anëtare të BE-së dhe ndodhet krejt në fqinjësi me ne. Perspektiva e këtij rajoni nuk është i kufizuar në negociatat e pranimit. Ne duhet ta bëjmë këtë perspektivë shumë më të larmishme. Ndryshe në atë rajon bëhet fjalë edhe për luftë të modeleve të jetesës, ose modeli jonë evropian i jetesës ose do kemi model tjetër”, theksoi Schallenberg.

    Këshilli i Punëve të Jashtme që udhëhiqet nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, në agjendë ka dhe raportet Evropë-Amerikë.

    Po ashtu situata në Palestinë, Afganistan e Rusi ishin lartë në prioritetet e diskutimit që zgjati për disa orë dhe u mbajt në ndërtesën me emrin “Evropa” në Bruksel.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!