×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministria e Drejtësisë: Ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk është hakmarrës

    Reporteri
    21 Prill 2021 | 11:58

    Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke i hapur kështu rrugë formimit të grupeve punuese në Ministrinë e Drejtësisë.


    Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme synohet që brenda vitit të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.

    Me hartimin e ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, mundësohet realizimi i konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues.

    Shefi i Kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni në një intervistë për Telegrafin ka thënë se për këtë koncept-dokument është punuar qysh në mandatin e parë të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku në krye të MD-së, ajo ishte për rreth 50 ditë.

    “Pastaj, tash kur e ka filluar mandatin sërish pothuajse gjithçka ka qenë e gatshme me disa ndryshime të vogla, dhe është aprovuar tutje për aprovim në Qeverinë e Kosovës. Dhe, siç jeni në dijeni ajo tashmë është aprovuar në Qeverinë e Kosovës, dhe presim tutje qe të bëjmë grupin punues dhe të fillojmë me procedurat tutje”, ka deklaruar ai.

    Nimoni ka thënë se “ajo çfarë përmban në këtë koncept-dokument është një skanim i problemeve i situatës, që ndërlidhet me problemet me konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme, sepse ne kemi një bazë aktuale ligjore mirëpo e cila është jo efikase në drejtim të procedimit me efikas të kësaj pasurie”.

    Ai bëri të ditur së koncept-dokument parasheh tri opsione.

    “Opsioni i parë është status quo i cili parasheh se a duhet të qëndrojmë kështu siç jemi, dhe nëse qëndrojmë kështu siç jemi është situatë e përshtatshme apo jo. Opsioni i dytë, është mundësia e përmirësimit të situatës pa ndryshime legjislative, një gjë e cila është vështirë e arritshme. Dhe, opsioni i tretë është ndryshimet përmes ndryshimeve ligjore. Siç duket ky opsioni i tretë ka qenë më i pranueshëm për grupin punues dhe ka qenë në përbërje nga përfaqësues të brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë, ekspertë të jashtëm, pastaj përfaqësues të institucioneve relevante që ndërlidhen me fushën e konfiskimit të pasurisë”, theksoi ai.

    Gjatë intervistës, Nimoni tha se me aprovimin e koncept-dokumentit në Qeveri, është hapur rruga për formimin e grupit punues brenda Ministrisë së Drejtësisë.

    “Ne në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë këtë çështje e kemi një ndër prioritetet tona, dhe së shpejti do ta themelojmë grupin punues për këtë çështje. Do të punohet me intensitet për me finalizu edhe punën e këtij koncept-dokumenti. Pastaj, ne po konsiderojmë se brenda viti ta finalizojmë këtë projektligj dhe ta dërgojmë në Kuvendin e Kosovës. Pastaj, varësisht nga puna dhe afatet të cilat parashihen të jenë edhe në këto ndryshime ligjore që do të ndodhin do të pasojmë me faza tjera, të kompletimit dhe aprovimit të tij në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

    Këshilltari i Ministrisë së Drejtësisë, Genc Nimoni tha se ka pasur disa kundërshtime rreth këtij koncept-dokumenti, por që sipas tij, këto janë të pranueshme pasi që ka dilema për këtë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!