×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministria e Shëndetësisë thotë se masat e fazës së dytë mund të hiqen para kohe

    Reporteri
    23 Maj 2020 | 13:38

    Asociacioni i Komunave të Kosovës sot ka kërkuar nga institucionet që të shkurtojnë fazën e dytë të rihapjes me pretekstin se humbjet ekonomike mund të jenë të mëdha.


    Por, për këtë kërkesë Ministria e Shëndetësisë thotë se është vendimmarrësja për shumicën e çështjeve që lidhen me menaxhimin e kësaj pandemie sipas kompetencave të bartura nga Qeveria e Kosovës për menaxhimin e situatës emergjente me Covid-19 dhe bazuar në Ligjin për menaxhimin e sëmundjeve ngjitëse.

    Ministria e Shëndetësisë tha se janë duke bërë rivlerësimin e situatës dhe se nuk përjashtohet mundësia e lirimit të masave të fazës së dytë më herët se që është paraparë.

    “Sipas vendimeve të MSH-së është zhvilluar Plani për hapjen graduale ekonomike dhe tash është duke u zbatuar faza e dytë e kësaj hapjeje. Faza e tretë është paraparë të nisë më 1 qershor, ndërkohë që, rivlerësimi për shumë veprimtari është duke u bëre tani, përfshirë ceremonitë fetare, tregjet e tjera, palestrat, qendrat e kujdesit ditor, qendrat tregtare, parqet dhe veprimtari të tjera”, thuhet në përgjigjet e MSH’së për Klanin.

    Kjo ministri që ka kompetencat për vendimet e tilla, thotë se të tjerët mund të japin rekomandimet dhe opinionet e tyre, por se vendimet merren bazuar në raportet profesionale.

    “MSH merr vendime duke u bazuar në rekomandimet e institucioneve të saj kompetente për vlerësime profesionale sikurse është IKSHPK. Edhe të tjerët, normalisht, kanë të drejtë të japin opinionet dhe propozimet e tyre, bazuar edhe në praktikat e vendeve të tjera; të marrin edhe vendime brenda niveleve të përgjegjësive të tyre, por vendimmarrja në nivel qendror për pandeminë Covid-19 bëhet nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim edhe me institucionet dhe nivelet e tjera, përfshirë edhe komunat”.

    Në fazën e tretë është paraparë lirimi i plotë i gastronomisë, veprimtari të arsimit të lartë sikurse provimet; pastaj testet e maturës dhe të arritshmërisë; hapja e kinemave e teatrove, hapja selektive e aktiviteteve sportive etj.

    MSH thotë se kjo listë nuk e përjashton mundësinë që të hapen më parë se që është parashikuar edhe veprimtari të tjera, varësisht prej situatës epidemiologjike në vend.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!