×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministrja Hoxha e zhgënjyer me qëndrimin e BE-së për vizat: Jemi të befasuar…

    Reporteri
    21 Qershor 2019 | 9:59

    Për një vendim përfundimtar pozitiv për liberalizim të vizave nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian Kosovës i kërkohet t’i dëshmojë përpjekjet e vazhdueshme në sundimin e ligjit, migracionit dhe sigurisë.


    “Pikërisht këtu është zhgënjimi ynë, kur tekstualisht pranohet një proces i suksesshëm si zbatimi i 95 rekomandimeve, ndërsa përgjigja ndaj këtij suksesi të përbashkët është se Këshilli e ka në shqyrtim. Jemi të befasuar me këtë përfundim, me këtë gjuhë pa përcaktor e limite kohore ndaj një çështjeje të ndjeshme dhe të rëndësishme për qytetarët tanë. Rruga e përbashkët duhet të vazhdojë dhe liberalizimi të ndodhë sa më parë”, ka deklaruar për “Zërin” ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

    Sipas saj, në fazën në të cilën gjendet Kosova është e papranueshme që BE-ja vazhdon të shprehë dilema për të arriturat e vendit.

    “Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me BE-në për të gjitha sfidat në proces, andaj është e habitshme, kur procesi ka ecur në finalizim shprehen dilema për të arriturat tona, të cilat sipas Këshillit Evropian mund të tejzgjaten dhe humb motivi dhe qëllimi i këtij procesi jetik për qytetarët e Kosovës. Ne kishim dhe kemi përkrahjen e fuqishme të vendeve të BE-së, andaj pritjet janë të mëdha, sepse kemi kryer detyrat tona të shtëpisë”, ka potencuar ajo.

    Ndërsa lidhur me përbërjen e re të Parlamentit Evropian dhe perspektivën eurointegruese të Kosovës, Hoxha ka theksuar se zgjerimi i BE-së është proces i pandalshëm dhe asgjë nuk mund ta pengojë këtë proces.

    “Nga përbërja e re e Parlamentit Evropian nuk pres rritje të euroskepticizmit, ngase shumicën e përbëjnë prapë përkrahësit tanë më të fuqishëm për pavarësi, zgjerimi i BE-së është proces i pandalshëm, kur kihen parasysh sfidat globale dhe vlerat e BE-së. Ne jemi duke zbatuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, jemi duke intensifikuar punën për mënjanimin e çdo pengese në rrugën e përafrimit maksimal me BE-në, për fuqizim të sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit etj.”, ka thënë ajo.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!