×
  • Lajme
  • Lajme

    Minxhozi: Jam i bindur se Rama e Kurti do t’i përmirësojnë marrëdhëniet

    Reporteri
    22 Dhjetor 2021 | 13:04

    Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi ka thënë se pavarësisht mosdakordimit momental ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti, marrëdhëniet duhet të thellohen.

    Krejt këtë mosmarrëveshje ai e lidh me iniciativën Ballkani i Hapur, por që shprehet optimist që gjërat do të sqarohen në vazhdim.

    “Është thënë qartë nga dy kryeministrat që marrëdhëniet midis nesh do të vazhdojnë, do të thellohen dhe do të përparojnë, pavarësisht mosdakordësisë momentale që ekziston për çështjen e Ballkanit të Hapur”, tha Minxhozi për EkonomiaOnline.

    Minxhozi ka folur edhe për 13 marrëveshjet e përbashkëta të nënshkruara në Elbasan. Sipas tij, marrëveshjet paraprake nuk janë zbatuar plotësisht për shkak të ndërrimit të shpeshtë të qeverive të Kosovës në vjetët e fundit.

    Po ashtu ai ka kërkuar një seriozitet më të madh nga institucionet për arritjen e objektivave të përbashkëta.

    “Kosova gjatë këtyre pesë, gjashtë viteve ka pasur më tepër se pesë Qeveri domethënë në zgjedhjet e herëpashershme. Por gjithsesi domethënë ka pasur edhe disa burokraci që kanë  pasur mundësi të evitohen. Ajo që do të themi ne, kjo mbledhje ka pasur një fokus më të drejtpërdrejtë për zgjidhjen e disa problemeve që kanë qenë një shqetësim shumë i madh”.

    “Siç ka qenë lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave, lejet e qëndrimit të qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës në të dy anët e kufirit, problemi i pensioneve, problemi i njohjes së diplomave e të tjera me radhë”.

    “Prandaj unë po them që jehona e mbledhjes së Elbasanit ka filluar që të përkthehet në rezultate konkrete dhe besojmë që do kemi një qasje tjetër kësaj radhe, një seriozitet më të madh nga institucionet e  ndryshme për të realizuar këto objektiva”, tha Minxhozi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!