Miratohet koncept-dokumentin për Shtetësinë, do u mundësojë shqiptarëve të Luginës të marrin shtetësinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për Shtetësinë. Kështu ka njoftuar Artan Murati, këshilltari politik i presidentes Vjosa Osmani.

Murati, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se ky koncept-dokument është miratuar më 29 dhjetor, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai ka shtuar se prej këtij koncept-dokument do të dalë edhe Ligji i ri për Shtetësinë, i cili do t’ua mundësojë shqiptarëve nga Medvegja, Presheva e Bujanoci të pajisen me shtetësi të Republikës së Kosovës.

“Shumë i lumtur që në këtë koncept-dokument, prej të cilit më pas do të dalë edhe Ligji i ri për Shtetësinë, është përfshirë komenti dhe propozimi i Zyres së Presidentes, i cili do t’ua mundësojë shqiptarëve nga Medvegja, Presheva e Bujanoci të pajisen me shtetësi të Republikës së Kosovës. Më konkretisht, të gjithë qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët kanë qëndruar në Republikën e Kosovës së paku 5 vite nga data 12.06.1999 deri me datë 31.12.2021, do të kenë të drejtën e fitimit të Shtetësisë bazuar në rregullimin e kornizës ligjore me këtë Koncept Dokument, ndërsa sa i përket kritereve procedurale do të rregullohet me akte nënligjore që nxirren nga Ministria e Punëve të Brendshme”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se hapi i radhës është hartimi i projektligjit dhe më pas miratimi i tij në Kuvend.

“Shqiptarët e Luginës nuk do të anashkalohen asnjëherë. Koordinimi institucional është i nivelit më të lartë, dhe kjo do të sjellë rezultate pozitive. Hapi i rradhës: hartimi i projektligjit dhe më pas miratimi i tij në Kuvend. Po duket vit i mbarë në këtë drejtim”, ka shkruar Murati në Facebook. /Reporteri.net/