×
  • Lajme
  • Lajme

    Mohuesit e krimeve të luftës mund të ketë problem me ligjin

    Reporteri
    25 Qershor 2019 | 8:18

    Kushdo që mohon krimet e luftës në Kosovë, në të ardhmen do të mund të dënohet me ligj, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë konfirmuar se projektligji që e ndalon mohimin e krimeve të luftës, tashmë është në fazën e hartimit.


    Më 11 prill të këtij viti, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, kishte prezantuar një nismën për hartimin e një ligji të tillë, e cila nismë ka marrë mbështetjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Qeveria e Kosovës, ka miratuar nismën e zëvendëskryeministrit Hoxhaj dhe vendosi që Ministria e Drejtësisë, të cilën aktualisht e drejton ministri Abelard Tahiri, ta hartojë një ligj bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

    Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se nisma për Ligjin që dënon mohimin e krimeve të luftës, bazohet në përvojën e disa vendeve brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, të cilat në dekadat e fundit, çështjen e ngjashme e kanë rregulluar përmes kornizave të ndryshme ligjore.

    “Fakti që, 20 vjet pas spastrimeve etnike në Kosovë, qytetarë të Kosovës me përkatësi serbe e mohojnë, ta zëmë Reçakun apo e lëndojnë dinjitetin e viktimave të luftës dhe dinjitetin e familjarëve, na ka shtyrë që të marrim një hap të tillë, i cili do të duhej të ishte edhe ligjor, por edhe moral dhe dinjitoz. Sipas ministrit (të Drejtësisë, Abelard) Tahiri, tashmë është krijuar një grup punues dhe besoj që është në hartim e sipër projektligji. Së shpejti mund të kemi një draft, i cili do të duhej t’i përmbledhë pritjet që i kemi pasur si Qeveri, kur kemi marrë vendim që çdokush që i mohon krimet e shtetit serb në Kosovë dhe krimet e luftës në Kosovë, do të duhej të sanksionohej me ligj”, theksoi Hoxhaj.

    Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë në praktikat e rajonit të ish-Jugosllavisë, deri më tash nuk ekziston një ligj që sanksionon mohimin e krimeve të luftës. Por, sipas tij, nisur nga situatat kur persona apo zyrtarë të caktuar edhe brenda institucioneve të Kosovës, kanë mohuar krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në vend, një ligj që do ta sanksiononte këtë mohim, është i mirëkuptuar. Por, sipas tij, marrë parasysh që aktualisht nuk ekziston një dokument apo regjistër zyrtar, që i numëron të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë dhe i cili është vërtetuar para gjykatave apo ndonjë komisioni shtetëror, atëherë ligji eventual do të mund të keqpërdorej apo të mos zbatohej.

    “Para hyrjes në fuqi të një ligji të tillë, ishte dashur që të krijohet një komision, i cili do t’i vërtetonte të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë. Pastaj, kur të sillet ligji, ky dokument të futet si aneks i ligjit. Pra, në një nen të thuhet që ‘kushdo që i mohon krimet e kryera, të cilat janë listuar në këtë aneks, do të sanksionohet’. Vetëm kështu do të kishte kuptim, sepse nëse do të përmendeshin vetëm krimet e luftës, pa i specifikuar se cilat janë ato, atëherë secili i dyshuar i mundshëm, në të ardhmen, që i mohon krimet e luftës, do të thoshte se nuk ka pasur asnjë informacion se në vendin e caktuar janë kryer krime lufte”, tha Blakaj.

    Zëvendëskryeministri Hoxhaj, thotë se Ligji për ndalimin e mohimit të krimeve të luftës do të duhej të bazohej në një analizë të gjendjes faktike, që të përcaktojë qartë atë se çfarë ka ndodhur në vendet e ndryshme brenda Kosovës, në raport me qytetarët e saj.

    “Këtu, natyrisht që duhet të kenë rol edhe organizatat e ndryshme që janë marrë me këtë temë, por edhe agjencitë e vet shtetit të Kosovës. Mendoj që krimet e Serbisë janë dokumentuar gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë dhe nuk është një problem i madh që të hartohet një listë e plotë dhe ajo listë të jetë më pas pjesë e ligjit. Por, ju takon juristëve që të ofrojnë zgjidhjen juridike, me qëllim që ligji të zbatohet dhe të jetë sa më efikas në përmbushjen e veprimeve të tij”, vlerësoi Hoxhaj.

    Ndërkaq, Blakaj shpjegon që nisma për caktimin e fakteve për krimet e luftës, ka ekzistuar nisma që moti nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Sipas tij, tash e disa vite, kjo organizatë, bashkë me partnerët e saj, janë duke insistuar që krijohet një komision rajonal për përcaktimin e fakteve për krimet e luftës, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë ish-Jugosllavinë.

    “Raporti i atij komisioni do të ishte një dokument zyrtar, i cili pastaj do t’i shërbente Kuvendit (të Kosovës) që kur ta sjellë ligjin, ta ndërlidhë me atë dokument. Përndryshe, ne jemi dëshmitarë që për krime të luftës, vetëm një numër krejtësisht i vogël, simbolik, i krimeve të luftës, janë gjykuar para gjykatave vendore apo ndërkombëtare. Çka me të tjerat?”, u shpreh Blakaj.

    Më 9 prill, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga detyra ministrin e Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq nga radhët e Listës Serbe, i cili gjatë një organizimi për të shënuar 20-vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, ka thënë se arsye për, siç e ka quajtur ai “agresionin e NATO-s, ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

    Kryeministri Haradinaj, më 25 mars, e pati liruar nga detyra zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, po ashtu nga Lista Serbe, për shkak se kjo e fundit kishte deklaruar se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!