×
  • Lajme
  • Lajme

    Molliqaj e vendos LDK-në para VV-së

    Reporteri
    26 Qershor 2019 | 23:49

    Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka folur për përpjekjet e partive opozitare për rrëzimin e qeverisë së vendit, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.


    Molliqaj ka thënë se e konsideron veprim të mençur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos paraqitur mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës pa i siguruar votat e nevojshme.

    Ai ka përshëndetur partinë e Isa Mustafës për “lëvizje të pjekur, në vend se t’ju hyjë aventurave”.

    “Kosovës s’i duhen eksperimentet. Çdo dështim, që dihet që është dështim, nuk i ndihmon kauzës”, ka deklaruar ai në T7.

    Sipas tij, ende nuk janë pjekur kushtet për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe për çuarjen e vendit në zgjedhje të reja.

    “Nevojitet edhe pak kohë, në bisedimet PSD, LDK, VV, Alternativë e tjerat”, është shprehur Molliqaj.

    Sipas tij, ekzistojnë “gjasa reale” që rrëzimi i qeverisë të ndodhë në tetorin e këtij viti.

    Ai ka paralajmëruar se kjo do të ndodhë me 61 vota shqiptare.

    Me këtë qëndrim Molliqaj ka dale kundër ish partisë së tij Vetëvendosjes e cila konsideron se mocioni duhet të ngritet e mos të pritet të bëhen 61 vota.

    Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjen ka deklaruar të martën po në T7 se sa për VV-në do të duhej qysh nesër të hidhej në votim mocioni, duke shtuar se janë kushtet që Qeveria aktuale me u rrëzuar.

    “Ja kemi shpjeguar LDK-së se sa për VV-në mocioni do të duhej të vendosej tash. Nuk e di, ndoshta kanë arsye zgjedhjet e brendshme, por ne si VV ja kemi shprehur këtë qëndrim LDK. Shtyrja e devalvon këtë mocion dhe do të futemi në pushimet e verës që janë gati dy muaj që do humbin pa ndonjë rezultat dhe në shtator do të shkojmë në defansiv. Kemi shpresuar që këtë javë të ndodhë mocioni, do të ishte mire që në javën e parë të korrikut”, ka deklaruar Konjufca.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!