×
  • Lajme
  • Lajme

    Molliqaj: Jemi kundër planit franko-gjerman, zgjidhja e vetme është korrigjimi i kufijve

    Reporteri
    25 Nëntor 2022 | 8:09

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se janë kundër planit franko-gjerman, pasi si i tillë nuk ka njohje reciproke me Serbinë, dhe se është e dëmshme për Kosovën.

    Ai ka thënë se marrëveshja finale me Serbinë nuk mund të bëhet me këtë plan, por që rikthen Kosovën në pikën zero.

    Kreu i PSD-së, ka thënë se e vetmja alternativë për ta zgjidhur epilogun përfundimtar me Serbinë, është korrigjimi i kufijve.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Molliqaj ka folur për veriun, bojkotin dhe tensionet e krijuara në veri, për të cilat thotë se fajtor është shefi i ekzekutivit.

    Sipas kreut të PSD-së, me anë të këtyre modeleve nuk është afër njohja finale dhe formohet Asociacioni.

    “Të gjitha tentativat e Kurtit me vendosjen kinse të reciprocitetit apo ligjshmërisë për çështjen e targave, si përpjekje e tij për të maskuar një kompromis që e bënte anash saj, pra për Kosovën u bë e qartë që Qeveria e Kosovës e ka pranuar planin franko-gjerman pa njohje vetëm pasi që serbët u larguan nga institucionet dhe donte që përmes asaj që ne po e quajmë petkut të një politikani konsistent që nuk lëshon pe në asnjë gjë, të maskonte kompromisin e madh që ishte marrëveshja franko-gjermane. Pra për ne ishte e qartë që është një manovër politike dhe se do të përfundonte si e tillë”, u shpreh Molliqaj.

    “Në fakt marrëveshja e mbrëmshme nuk është vetëm për targat, marrëveshja e mbrëmshme e përshpejton procesin për një marrëveshje siç është plani franko-gjerman, e që për ne është i papranueshëm sepse nuk është zgjidhje finale edhe e vazhdon konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në të njëjtën kohë fjalia më e rëndësishme është se Qeveria Kurti merr zotim të ri për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve deri tani. Nëse Kurti deri më tani ka deklaruar që ato marrëveshje janë trashëgimi e qeverive të kaluara, nga mbrëmë Kosova dhe qeveria e re i ka rimarrë obligimet e vjetra dhe i ka bërë të vetat. Pra tash e tutje Qeveria është përgjegjëse për zbatimin e një marrëveshje që është e dëmshme siç Asociacioni”, tha Molliqaj.

    Ndonëse thotë se nuk janë kundër kompromisit me Serbinë, Molliqaj thotë se i vetmi duhet të përmbajë njohjen finale. Zgjidhja e qëndrueshme sipas Molliqajt mund të jetë vetëm korrigjimi i kufijve. Ky opsion, për ta është i pranueshëm.

    “Ne besojmë se duhet të ketë zgjidhje të përhershme me Serbinë, ne nuk jemi ata që themi se nuk duhet të ketë asnjë kompromis e as dialog, por themi se duhet të ketë kompromis dhe dialog, por të dyja në funksion të zgjedhjes finale. Për neve, zgjidhja më e qëndrueshme dhe afatgjate, është ripërcaktimi i kufijve, është e qartë se qytetarët serb në veri e kanë vullnetin e tyre mos të jetojnë në Kosovë, madje edhe sot mendojnë se nuk janë pjesë e Kosovës, po ashtu ne mendojmë se shqiptarët e Luginës kanë vullnet të shprehur vite më parë që të bashkohen me Kosovën. Po, ne jemi për ripërcaktimin e kufijve në bazë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, thotë Molliqaj.

    Molliqaj ka thënë se marrëveshja për targa, është katalizator i Asociacionit. Duke folur për këtë çështje, Molliqaj ka thënë se serbët nuk do të kthehen në institucione pa u themeluar Asociacioni.“Ne në PSD themi që targat si katalizator i Asociacionit, pra e ka përshpejtuar Asociacionin. Siç e keni parë në marrëveshjen e fundit është futur se duhet të respektohen të gjitha marrëveshjet, për kundër këtij koncesioni që e bëri kryeministri Kurti nuk ka dakordim që serbët do të kthehen në institucione, dhe madje e keni parë deklaratën e presidentit Vuçiq i cili thotë se serbët kthehen vetëm kur të formohet Asociacioni. Kështu që definitivisht, targat kanë qenë katalizator i Asociacionit”, u shpreh Molliqaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!