×
  • Lajme
  • Lajme

    Molliqaj: Kosovën e pret një rrezik mbi demokracinë, mashtrimi i populizmit antikorrupsion do të vazhdojë edhe për një kohë

    Reporteri
    30 Nëntor 2020 | 14:57
    © Reporteri.net / Foto: Argjend Mamaj

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve në Podujevë ishte pak a shumë i pritshëm dhe sidomos i kuptueshëm.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Molliqaj ka thënë se mashtrimi i madh i populizmit antikorrupsion do të vazhdojë edhe për një kohë, shkruan Reporteri.net.

    Ai ka thënë se Kosovën e pret një rrezik mbi demokracinë pasi që sipas tij diktatura e numrave do ta totalizojë skenën dhe diskursin.

    “Jo vetëm si kontroll medial, por edhe si strukturë e mbyllur ideologjike – si mohim i tjetrit. Kjo betejë është në ardhje. Por, kritiku i populizmit nuk mund të sillet me cinizëm e përçmim për njerëzit dhe nevojat shoqërore.”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

    Kujtojmë se dje u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.

    Pas dy dekadash qeverisje, Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi humbje të thellë, duke u mposhtur nga Shpëjtim Bulliqi i VV-së.

    Ky është postimi i plotë i Molliqajt:

    Dy mashtrime, asnjë zgjidhje

    Rezultati i zgjedhjeve në Podujevë ishte pak a shumë i pritshëm dhe sidomos i kuptueshëm. Mashtrimi i madh i populizmit antikorrupsion do të vazhdojë edhe për një kohë.

    Por, një përgjigje e gabuar sillet vërdallë tash sa kohë. Këto zgjedhje provuan se përgjigja liberale e diskursit korrekt, që flet për normalitetin nuk funksionon sepse nuk është e duhura. Kjo përgjigje sheshon kontradiktat për ta ruajtur status-quon. Duke bërë këtë ruan edhe interesat ekonomike e politike që qeverisin në mënyrë të padrejtë përditshmërinë tonë. Por, adresimet me lidhje të shkurtëra nuk i tejkalojnë as nuk i heqin shkaqet strukturore që prodhojnë varfëri, papunësi dhe emigracion. Edhe një herë, problemi me populizmin nuk është kontradikta si e tillë, por lidhjet e shkurta që janë mungesë e kritikës ideologjike mbi pabarazitë.

    Kosovën e pret një rrezik mbi demokracinë. Diktatura e numrave do ta totalizojë skenën dhe diskursin. Jo vetëm si kontroll medial, por edhe si strukturë e mbyllur ideologjike – si mohim i tjetrit. Kjo betejë është në ardhje. Por, kritiku i populizmit nuk mund të sillet me cinizëm e përçmim për njerëzit dhe nevojat shoqërore. Çfarë na duhet është më parë horizont sesa skemë. Së pari, mendimi i koncepteve si shumësia e heterodoksia si formë politike e shoqërore si praktika të reja ndërveprimi. Kështu, bashkimet nuk çojnë në instrumentalizime. Pastaj, sigurisht se janë limitet e domosdoshme të efekteve qeverisëse që mund të sjellë modeli që po fiton terren. Këto limite nuk do të vonojnë shumë.

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!