×
  • Lajme
  • Lajme

    Molliqaj paralajmëron protestë kundër Asociacionit

    Reporteri
    06 Mars 2023 | 14:43

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për pranimin në parim të propozimit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

    Për këtë arsye, Molliqaj ka paralajmëruar protestë kundër kësaj marrëveshjeje, e cila tha se do të mbahet në fund të muajit mars apo fillim të prillit.

    Ndryshe, Partia Socialdemokrate e Kosovës ka vendosur sot para Qeverisë së Kosovës, 205 mijë nënshkrimet e peticionit të vitit 2016 kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Më 27 shkurt, në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut. Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për të nënshkruar planin evropian, porse Serbia nuk ka qenë e gatshme. Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.

    Ndërkohë, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e dobëson funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe se në tavolinë janë 16 modele evropiane.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!