×
  • Lajme
  • Lajme

    Molliqaj për takimin e fshehtë të Kurtit e Mustafës: Po vjen koalicioni i rançit të Prapashticës

    Reporteri
    25 Janar 2020 | 14:26

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka komentuar takimin që siç raportohet u zhvillua mbrëmë larg syve të mediave mes kreut të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa në përpjekjet e fundit për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.


    Molliqaj takimin në shtëpinë e kreut të LDK-së, Isa Mustafa në Prapashticë e ka krahasuar me takimet që dikur zhvilloheshin nëpër kafe e shtëpi luksoze në Hajvali mes krerëve të PAN-it, shkruan Reporteri.net.

    “Dikur PAN-i takohej fshehtazi nëpër kafe e shtëpi luksoze në Hajvali për të ndarë kulaçin e pushtetit në emër të së “mirës së popullit””, ka shkruar ai.

    Molliqaj ka thënë se pasi VV e LDK dështuan që të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje nëpër zyret e institucioneve, iu rikthyen metodës së vjetër që kishin ndjekur edhe politikanët tjerë, me takim në lagjet periferike të Prishtinës, ku sipas Molliqajt gjenden rançet luksoze të pushtetarëve të deridjeshëm.

    “Sot, VV e LDK, pasi dështuan që të formojnë qeverinë duke u takuar nëpër zyret e institucioneve, iu rikthyen metodës së vjetër të takimit nëpër lagje periferike të Prishtinës ku gjinden rançet luksoze të pushtetarëve të djeshëm. VV-së, që në dukje të parë shihet si parti e majtë e transparente, iu shpërfaq fytyra e vërtetë e zhytur në terrin e Prapashticës”, ka shkruar tutje ai.

    Molliqaj thekson se këto janë vetëm shenjat e para të popullzimit në ardhje, e jo asaj që këto dy parti proklamuan në fillim, pra shpresë e qeverisje progresive.

    “Këto janë shenjat e para të popullizmit në ardhje. Çka mund të jetë dukur në fillim si kthim i shpresës e qeverisje progresive u kthye brenda 3 muajve në stagnim institucional për hir të kulaçit të pushtetit. Këta hapur kritikuan elitat politike të korruptuara dhe u munduan që t’i delegjitimojnë vetëm që në fund të shndërrohen në po të njëjtit që ishin në pushtet”, përfundon ai. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!